Nga: Feti Mehdiu
Pse nuk duhet reformuar …. APO Pse nuk duhet loja me fenë?
Fjala e formuar nga mbiemri “i ri, e re” dhe emri “formë”, e cila përdoret në trajtën “reformë” ndonjëherë e hasim edhe “riformë” me funksionin që sinjalizon se një fenomeni apo ndonjë gjëje i kemi dhënë formë të re. Nuk është më si e kanë parë dje. Sot i kemi vesh tjetër kostum apo e kemi qeth pak më ndryshe dhe duket ndryshe, qoftë ai ndryshim kozmetik apo edhe thelbësorë – varësisht nga kapaciteti i autorit të reformës, sa është i zoti reformatori të investojë në ridizajnimin e ndonjë vepre a pune të tjetërkujt. DHE KJO RI(RE)FORMA, sot, ndër ne është bërë shumë aktuale nga prirja jonë që të mos punojmë gjë të re autoriale, por të riformojmë ato gjëra që i kanë bërë tjerët përpara nesh – pavarësisht a ka nevojë për këto riformat tona.
Sot është bërë një adet që të merremi vetëm me reforma: në arsim, në ekonomi, në qeverisje të shtetit, në administratë, në bujqësi, në blegtori, në kulturë, në familje e të tjera deri edhe në teologji, madje edhe në teologjinë islame, për të cilën , në këtë kontribut do të ndalemi pak më hollësisht.
Në esencë reforma është veprim shumë i dobishëm, ndonjë herë i domosdoshëm, në jetën individuale dhe shoqërore. Për këtë nuk ka diskutim. Mirëpo e keqja qëndron në faktin se ne në vend se t`i qasemi sjelljeve tona dhe të bëjmë ndryshimet-reformatizimin e sjelljeve tona të veprimeve tona, qasjes tonë ndaj detyrave që na takojnë, ne u vërsulemi programeve, kodeve të etikës njerëzore, feve, me të cilat nuk kemi asnjë farë hisje të autorësisë në to.
Ne harrojmë se përzierja e njeriut në punët që nuk i takojnë si rezultat e ka stërkeqjen e asaj pune në atë masë sa i sjell dëmin më të madh shoqërisë njerëzore. Ilustrime për këto ka përplot! Prandaj ne, për të mos fenë objekt loje, duhet reformuar veten dhe të përballemi seriozisht me fenomenet shoqërore.
Çështja e reformave në teologji kohëve të fundit është një temë tërheqëse për të formuluar tituj e nëntituj tërheqës e nxitës në faqet e shtypit të gjitha llojeve. Para se të shpreh mendimin tim lidhur me këto tendenca të cilat tani më janë në ofensivë për të riformuar teologjinë, më duket me rëndësi të veçantë të rikujtoj “opinionistët” e këtyre çështjeve dhe t`u bëj një thirrje të hapin faqen e fundit të pasaportave personale dhe të shohin kujt i takon kompetenca për ta ndryshuar, apo për t`i dhënë tjetër formë atij dokumenti.
Dhe tash për reformat në teologjinë islame: pse duhet bërë reforma, duhet apo nuk duhet, kush duhet , çka duhet reformuar, çka mund të reformohet e çka nuk mund të reformohet?
Për këtë çështje rëndësi të dorës parë ka përcaktimi i “opinionistëve” si i qasen teologjisë? A besojnë se në teologji ka diçka mbinjerëzore apo e shohin si pjellë njerëzore teologjinë? Termin teologji, në këtë kontribut timin nuk do ta përdori fare kur është në pyetje çështja Islame, por do të shërbehem me termin Fe, i cili mbulon fjalën Din në Kur’an. Sepse feja dhe teologjia e kanë një lidhje dikund, por megjithatë kanë edhe dallime thelbësore.
Do të përpiqem në vijim të kontribuoj për të dhënë një përgjigje pse nuk duhet bërë reforma në fenë islame.
Së pari duhet tërhequr vija dalluese ndërmjet konceptit FE ISLAME dhe KULTURË ISLAME, dhe duhet hequr nga përdorimi shprehja “teologji islame” – sepse në islam nuk ka teologji.
Në fenë islame Zoti nuk studiohet por besohet! Themelet e fesë islame janë të definuara në Kur`an. Kur`nin, sikur edhe librat tjerë të shenjt: Tevratin, Zeburin dhe Ingjilin, ia kanë transmetuar njerëzve pejgamberët: Musa, Davudi, Isa dhe Muhammedi. Këta kanë qenë njerëz të zgjedhur dhe këta mund të studiohen, kurse Ai që i ka zgjedhë këta, përmes të cilëve i përcjellë njerëzimit librat e shenjt, nuk mund të studiohet. Ai vetëm besohet!
Këtu dallohet filozofia nga feja.
Brumi i fesë është besimi, ndërsa brumi i filozofisë është dyshimi.
Dhe islami është fe! Jo filozofi! Si e tillë kjo është fe botërore: nuk është arabe, aziatike, evropiane, turke, shqiptare dhe tjera. Prandaj askujt nga të lartpërmendurit nuk i takon të merret me reformimin e saj, sepse nuk ka hise në autorësi. Ai që prek në veprën e dikujt është falsifikator! Nuk mund të fshihet pas shprehjes reformator.
Ndërsa dimensioni kulturorë, që është më drejt të quhet Kulturë islame mund të jetë edhe shqiptare edhe evropiane edhe aziatike edhe arabe, edhe amerikane, edhe angleze, gjermane etj. , por këtë nuk duhet identifikuar kurrsesi me konceptin Fe islame. Fenë islame nuk mund ta reformojnë njerëzit e çfarëdo kalibri të dijes qofshin. Dijetarëve, studiueseve, filozofëve, u përket hulumtimi dhe shprehja e opinionit të tyre për tëra tjerat… edhe për kulturën islame – por jo për fenë islame. Prekja në këtë sferë është tendencë për falsifikim dhe përzierje e paautorizuar në vepër të huaj.
Nga përzierje e tillë mund të pritet vetëm stërkeqja e një koncepti shumë fisnik. Manipulimi me emra të dijetarëve të nderuar të kohëve të ndryshme duke i quajtur reformatorë të Islamit – pa theksuar në çfarë segmenti, është i paqëndrueshëm dhe tendencioz. Hidhni një sy atyre të ashtuquajtura “reforma” të Ikballit, Reshid Rida, Mevdudi, etj., të bindeni se asnjëri nuk ka prek fare në thelb – në segmentin fe, (Islam) por kanë shpreh mendime në segmentin kulturor të traditës islame, i cili segment është krejtësisht i dorës dytë, tretë apo i dorës katërt, siç është fjala vjen se ku do t`i mbash duart kur lidhesh në namaz: nën kërthizë, mbi kërthizë, mbi gjoks, apo të shtrira, në qëndrim gatitu, etj. Nga e tëra kjo qasje mund të nxirret përfundimi se termi dhe fenomeni “reformë” është i pashmangshëm, por duhet saktësuar kur dhe kush duhet t`i nënshtrohet reformave.
Në rastin e fesë islame është i domosdoshëm reformimi i myslimanëve – jo i fesë islame, është i mundshëm reformimi i kulturës islame- por jo i domosdoshëm. Me një fjalë, njeriu para se të kapet me punët e tjetërkujt, të kapet me vetveten dhe të riformohet në përputhje me kohën e vet dhe me normat e vendosura e të verifikuara gjatë historisë njerëzore. Mos lëshohet në aventura dhe iniciativa ekzibicionale për qejfe individuale vetëm pse i duken atij se tingëllojnë interesante! Sa për të thënë unë jam reformator i fesë, jam reformator i arsimit, jam reformator i ku ta di se çfarë aktesh e në anën tjetër nuk jam në gjendje të riformoj jelekun personal të grisura në tëra anët.
Këto janë arsyet pse nuk duhet të manipulohet me reforma ë islam, por duhet marrë seriozisht me reformim të myslimanëve dhe jo vetëm të muslimanëve. Njerëzimi nuk mund të mbijetoj pa fe, thoshte Hofmani, prandaj nuk duhet përzier fenë me ideologjinë! Nuk duhet harruar se bota ka tri fe: Ebreje, krishtere, Islame, ndërsa ideologji janë rreth njëqind. Mesazhi i feve është universal kurse mesazhi i ideologjive përfundon në mesazh individual.
PSG-ja fiton minimalisht ndaj Lens dhe vazhdon shkëputjen ng...
Analistët komentojnë kërkesën për status të ri të gjuhës ser...
Ndotja e ajrit në Lahore ishte 80 herë më e lartë sesa kufiz...
Bislimi: Raporti i Komisionit Evropiam 2024 rikonfirmoi zhvi...
Në Tiranë ‘shpërthen’ gripi i shpendëve
Kurti: Vepra e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu është ...