Google ADS

Tahiri: MD-ja i ka paraparë tri obligime kyçe në agjendën evropiane

13:38 | 24 Tetor 2017
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane, rreth zbatimit të kritereve për agjendën evropiane të Kosovës.

Ai theksoi se ministria që ai drejton, ka tri obligime kryesore që ndërlidhen me agjendën evropiane.

Tahiri ia ka vënë vetes synim që të fuqizojë legjislacionin sa i përket konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, hartimin e dokumentit që do të largojë zyrtarët publikë nga funksioni nëse kanë aktakuzë deri në përfundimin e procesit dhe projektligji mbi kryeprokurorin e shtetit.

“E para është koncept dokumenti mbi plotësim ndryshimin e legjislacionit në fuqi, për t’i siguruar pezullimin ose largimin e detyruar largimin e zyrtarëve të akuzuar apo dënuar për korrupsion. MD-ja e ka dërguar për konsultime paraprake draftin e koncept dokumentit për largimin apo pezullimin e zyrtarëve nga puna të akuzuar për vepër penale të korrupsionit. Pas kësaj, obligimi i dytë i imi është projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik është miratuar për miratim në Qeveri dhe tani gjendet në Kuvend. Projektligji është hartuar mbi perspektiven që sqaron me precizitet se ku një zyrtarë është në konflikt të interesit. Dhe projektligji i tretë është projektligji për prokurorin e shtetit, përkatësisht rishikimit të dispozitave që i referohet çështjes se emërimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri shtoi se po ashtu është në punë intensive të plotësim ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës, të cilin paralajmëroi se në fund të nëntorit do të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. Ndërsa në tre mujorin e vitit të ardhshëm, paralajmëroi dërgimin në Kuvend të plotësim ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale.

Ai theksoi se janë duke i bërë edhe një mori plotësim ndryshimesh në legjislacionin që kontribuon në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilin e quajti shumë sfidues.

“Lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parasë dhe financimit dhe luftimit të terrorizmit është një proces mjaftë i vështirë dhe sfidues. Në angazhimin tonë të deritanishëm përmes hartimit të politikave dhe projektligjeve kemi hedhur hapat e parë por të sigurt të krijimit të parakushteve ligjore dhe resurseve për të luftuar këto dukuri. MD ka marrë përgjegjësinë për koordinimin e institucioneve të drejtësisë me qëllim të realizimit të një serë aktiviteteve që do të krijojnë parakushte për qasje me të lehtë në drejtësi”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, në Komisionin për Integrime Evropiane, Armend Zemaj, kërkoi nga ministri Tahiri që të njoftohet Kuvendi se çka do të ndryshon në Kodin Penal të Kosovës, e çka në ligjet tjera. Po ashtu, deputeti Zemaj kërkoi që çështja e largimit të zyrtarëve me aktakuza për korrupsion të nisë nga vetë Qeveria.

“Ajo që është shqetësuese tash për mua por edhe në të kaluarën është vullneti politik që veprat korruptive, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, luftimi i krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative në vend nuk është çështje vetëm e legjislacionit, por është mbi të gjitha e individëve që bartin pozita edhe publike por edhe ata që janë në sistemin e drejtësisë. Andaj duke filluar nga synimi juaj që është i parë jo vetëm për plotësim ndryshim të ligjeve, sepse kur po flisni për legjislacionin po kuptohet se kemi mungesë të legjislacionit, ajo duhet të sqarohet se legjislacioni është në fuqi. Është edhe një çështje që do t’iu sugjeroja që të jeni më konkret në ndryshimet që ju synoni, t’ia paraqisni Kuvendit….Personalisht e shoh në mungesë synimin e juaj me atë çka po ndodh. Të e para, koncept dokumenti për ngritje të aktakuzave, ndërsa ju keni në Qeveri njerëz që kanë aktakuza për korrupsion dhe si do ta aprovoni këtë dokument dhe ta sillni edhe Kuvendit që të bëhet pjesë e ligjit”, u shpreh Zemaj.

Në këtë mbledhje të Komisionit, deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, ka ngritur çështjen e rikthimit në Kodin Penal të Kosovës, nenet me të cilat detyrohen gazetarët që ta tregojnë burimin e informacionit në gjykatë.

“Do të dëshiroja në Kodin e ardhshëm Penal të futet, dëshmia deri me sot që 16 vite nuk është dënuar asnjë dëshmitar i rrejshëm në Kosovë. Dhe mbi dëshmi të rrejshme janë dënuar dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe janë akuzuar dhe janë shpërfytyruar deputetë, ministra, gjykatës prokuror e tjerë. Kjo e para, e dyta zotëri ministër burimi i informacionit mbi të cilin po shpifin gazetarët duhet të rregullohet në Kodin Penal në bazë të eksperiencës së vendeve perëndimore. Në atë Suedinë demokratike burimi i informacionit nga gazetarët duhet të tregohet para Gjykatës, do të thotë jo para prokurorit, jo para policisë, por kur shkon një çështje në Gjykatë gazetari ta tregojë burimin e informacionit dhe kjo të kthehet në Kodin Penal”, tha Zeka.

Zeka tha se ka qenë kundër heqjes se këtyre neneve, pasi në emër të kësaj gazetarët po shpifin. Ai po ashtu, kërkoi që deklarimi i pasurisë të jetë i hapur vetëm për policinë, prokurorinë dhe gjykatën, por jo për të gjithë, pasi sipas tij, tregimi sa para ka në bankë, është rrezikim i jetës së fëmijëve të tyre.

Kurse, deputeti Ilir Deda, ka kërkuar nga ministri Tahiri, që në projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, të merret parasysh rekomandimi kyç i Komisioni për Integrime Evropiane të vitit të kaluar që barra e provës të bie mbi të dyshuarin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme