Brazil, policia vret gabimisht turisten spanjolle

23:51 | 23 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Trazirat e armatosura në Brazil kanë bërë që policia në Rio de Zhaneiro të qëllojë gabimisht për vdekje një turiste spanjolle.

Maria Esperanza Jimenez Ruiz, 67 vjeçe, po vizitonte lagjen Rocinja, e njohur për kriminalitetin e lartë, kur papritur makina e saj është ndalur përpara një bllokade policie.

Një nga agjentët ka qëlluar papritur duke e vrarë në vend. Më vonë ai është arrestuar dhe ndodhet në gjendje burgimi.

Në lagjen Rocinja janë verifikuar së fundmi shkëmbime të shumta zjarri mes bandave rivale të drogës. Zonja Jimenez ndodhej në makinë me të vëllain, kunatën dhe një guidë turistike në momentin kur u qëllua.

Në reagimin e saj policia ushtarake ka deklaruar se efektivët kishin menduar se në makinë ndodheshin trafikantë dhe se në momentin e parë kur kishin vënë re gabimin kishin ndalur të shtënat.

Sidoqoftë, një hetim është në zhvillim e sipër. Forcat braziliane të sigurisë janë akuzuar shpesh herë nga grupet e të drejtave të njeriut për përdorim të tepruar force.

Por këto të fundit pretendojnë se në lagje si ajo e Rocinjës ndodhen shpesh të sulmuar nga bandat e drogës dhe kanë fare pak kohë për të reaguar.

Në shtator, ushtria hyri në zonën në fjalë për të vënë nën kontroll aktetet e dhunës që e kishin kapluar, por të shtënat kanë vazhduar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme