Bankat komerciale në Kosovë kanë potencial të mjaftueshëm për të zgjeruar kreditimin, por për ta zgjeruar këtë financim, kërkohet nga bizneset që të kenë kërkesa të arsyeshme dhe projekte serioze për marrjen e kredisë, vlerësojnë përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ata thonë se rritja e kreditimit mund të ulë edhe normën e lartë të interesit, gjë për të cilën bizneset janë ankuar vazhdimisht.
Drejtori i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës, Arben Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se niveli i kreditimit nga bankat është i ulët në Kosovë, krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.
“Ne sot kemi një raport të kredive të sektorit bankar ndaj Bruto-Produktit Vendor prej 35 për qind, që është më i ulët se sa në vendet tjera. Kjo do të thotë se në krahasim me madhësinë e ekonomisë, kreditimi në Kosovë është më i vogël se sa që është në vendet tjera përfshirë edhe vendet e rajonit, dhe në këtë mënyrë ne duhet të fokusohemi në atë se si ta zgjerojmë financimin për bizneset”, thotë Mustafa.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliard euro.
Por, siç thekson Mustafa, financimi i bizneseve nuk varet vetëm nga dëshira e bankave për të zgjeruar kreditimin, por për të zgjeruar kreditimin duhet të ketë edhe një kërkesë të shëndoshë për kredi.
“Pra, kërkohet që bizneset të investojnë më shumë në kapacitetet e tyre planifikuese, pra të ndërtojnë plane biznesore të arsyeshme dhe me to të mund të aplikojnë për kredi bankare, të kenë projekte premtuese, që janë projekte serioze dhe të cilat premtojnë se biznesi mund të ketë sukses pas marrjes së kredisë dhe në këtë mënyrë të mund t’ia kthejë bankës paratë që i ka marrë”, shton Mustafa.
Mirëpo, me këto konstatime të Bankës Qendrore të Kosovës, nuk pajtohen përfaqësuesit e bizneseve. Ata thonë se bankat nuk po ofrojnë kushte të mira të kreditimit. Përveç normave të larta të interesit që kanë bankat komerciale, sipas tyre, këto banka nuk po ofrojnë financim të mjaftueshëm për një projekt.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se kërkesën e bizneseve për qasje në kredi po e vështirën edhe mungesa e një oferte serioze nga bankat komerciale.
“Vetë bankat ofrojnë ofertë me interes të lartë, me greis-periudhë të shkurtër dhe me shumë financiare jo atë që e kërkojnë bizneset, por atë shumë që bankat kanë mundësi ta japin. Shumë herë bizneset janë detyruar që një projekt ta ndajnë në tri-katër banka për të marrë kredi, për arsye se bankat jo çdoherë e mbështesin tërë projektin, por kërkojnë një përqindje të saj të futet në hipotekë. Prandaj, bizneset e Kosovë janë para një dileme të madhe”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, norma e interesit në kredi, si për ndërmarrje, po ashtu edhe për ekonomitë familjare, sipas të dhënave të BQK-së, ka një rënie të vazhdueshme.
Derisa në fund të vitit 2014, norma e interesit ka qenë 9.2 për qind, kjo normë në muajin prill ishte 8.3 për qind, ndërsa në muajin maj 7.9 për qind.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...