Kosova sot voton kryetarët dhe asamblistët e komunave

05:07 | 22 Tetor 2017
arbresh.info

Sot, qytetarët e Kosovës do të votojnë për zgjedhjet lokale për kryetar dhe kuvende komunale, në 38 komuna të Kosovës.

Në zgjedhjet lokale janë të regjistruar 1 milion e 890 mijë e 952 qytetarë me të drejtë vote, në 899 qendra votimi me 2505 vendvotime.

Prej tyre 18 mijë e 11 janë votues të rinj, që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet sotme.

Ndërkaq 3 mijë e 835 votues të tjerë janë që nuk kanë qenë në listën përfundimtare të votuesve në zgjedhjet parlamentare, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil.

E për mbarëvajtjen sa më të rregullt të këtij procesi zgjedhor, KQZ tashmë ka bërë përgatitjet e duhura.

Tashmë edhe fletëvotimet kanë arritur në KQZ dhe çdo gjë është gati për të dielën e 22 tetorit, ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Fletëvotimet dhe materiali tjetër zgjedhor do të shpërndahet nëpër Qendrat e Votimit të dielën në mëngjes, para hapjes së tyre, sipas planifikimeve me Planin Operacional”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e 22 tetorit do të vëzhgohen nga rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara, OJQ-të vendore, organizatat ndërkombëtare, ambasada, media vendore dhe ndërkombëtare.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka bërë të ditur se deri më tani, për zgjedhjet e 22 tetorit janë trajnuar mbi 17 mijë komisionerë.

Halimi ka shtuar se janë gati për procesin zgjedhor duke besuar se trendi i mbarëvajtjes do të shënojë rritje pozitive.

Në garë për kryetar komune janë 204 kandidatë në 38 komuna të Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme