Emrat e personave të vdekur vazhdojnë të mbesin në listat e votimit edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën. Që nga zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në muajin qershor e deri më tani nga këto lista janë larguar rreth 5 mijë emra të personave të vdekur.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një konferencë të mbajtur të enjten bashkë me përfaqësues të Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit nuk ka përmendur numrin e saktë të emrave që figurojnë në këto lista, por ka kërkuar që mos të keqpërdoren këta emra.
Në këtë konferencë ka qenë e paraparë të flasin edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, mirëpo asnjëri nga ta nuk ka marrë pjesë, raporton Koha.net. Daka ka thënë se nuk kanë mundur të hiqeshin më shumë emra të të vdekurve nga listat pasi, sipas saj, ka qenë një periudhë e shkurtër mes dy palë zgjedhjeve.
“Të vdekurit nuk mund të votojnë vetë dhe dikush voton në emër të tyre dhe e keqpërdorin këtë. Vetë fakti që është emri i një personi të vdekur në listë nuk është asgjë nëse dikush nuk e keqpërdor. Unë u bëj thirrje komisionarëve që mos ta keqpërdorin këtë mundësi dhe të zbatojnë ligjin dhe rregullat mbi zgjedhjet të lëshuara nga KQZ-ja”, është shprehur Daka.
Ajo ka thënë se KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrimet e veta për ditën e zgjedhjeve. Sipas saj, bashkëpunimi ndërinstitucional edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur efektin e duhur dhe se janë të kënaqur me bashkëpunimin që kanë pasur në faza të ndryshme të procesit zgjedhor.
“KQZ-ja edhe në këto zgjedhje është kujdesur që personat që dyshohen se kanë kryer vepra penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore të mos përfshihen në administratën zgjedhore, në komisionet komunale të zgjedhjeve, në këshillat e vendvotimeve dhe në personelin teknik. KQZ-ja ka emëruar edhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve rreth 18 mijë, të cilët do të punojnë në ditën e zgjedhjeve. Ne i bëjmë thirrje secilit prej tyre që të përmbushin me saktësi detyrimet ligjore, sepse vetëm në këtë mënyrë vullneti i votuesve do të realizohet”, ka theksuar ajo.
Daka u ka bërë thirrje subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre që t’i kontribuojnë procesit zgjedhor duke u sjellë sipas përgjegjësive kushtetuese e ligjore që i kanë.
E zëvëndëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, ka thënë se institucioni i Prokurorit të Shtetit në bazë të memorandumit të bashkëpunimit të lidhur mes Prokurorit të Shtetit, KQZ-së, PZAP-së, Këshillit gjyqësor të Kosovës, dhe në bazë të rekomandimeve që janë dhënë nga Bashkësia Evropiane për zgjedhjet lokale ka ndërmarrë disa veprime.
Sipas saj, ky institucion ka caktuar një koordinator në nivel qendror dhe një zëvendëskoordinator që është një prokuror i zyrës së Prokurorit të Shtetit dhe një prokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe të krimeve të rënda.
“Po ashtu, ka caktuar menaxher të projektit për mbrojtjen e votës që është një zyrtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka krijuar dhomën operative që do të funksionojë ditën e zgjedhjeve lokale dhe balotazhit eventual. Këtu janë 20 zyrtarë, prej tyre 4 prokurorë dhe 16 staf që do të koordinojnë punën prej dhomës operative. Një prokuror do të vendoset në lokalet e KQZ-së, Komisioni i Prokurorit të Shtetit ka caktuar 7 koordinatorë për secilin rajon, prokurori ka hartuar procedurat standarde të veprimit polici-prokurori, po ashtu ka caktuar 86 prokurorë në detyrë për ditën e zgjedhjeve lokale, por edhe nëse do të ketë balotazh”, ka theksuar Morina.
Deri më tani, sipas saj, këta prokurorë kanë marrë njoftime për dyshime të arsyeshme se janë kryer 4 vepra penale dhe janë në procedim e sipër.
Ndërkaq zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, është shprehur se Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për kompletimin e të gjitha detyrave që dalin nga marrëveshja e përbashkët që kanë sa u përket zgjedhjeve.
Gjatë periudhës së fushatës Rexha ka theksuar se janë regjistruar 17 incidente në tërë vendin, ku janë ndërmarrë veprime të nevojshme, raporton Koha.net. Bazuar në këtë numër të incidenteve ka thënë se kjo tregon se ka pasur një fushatë të qetë deri më tani.
“Në vlerësim të gjendjes së rrezikshmërisë dhe kanosjes edhe në aspektin gjithëpërfshirës edhe aspektin e veprimeve konkrete të të gjithë të përfshirëve në procesin zgjedhor nuk kemi shkallë të rrezikut askund dhe kjo është sinjal se edhe në ditën e zgjedhjeve do t’i mbulojmë të gjitha pikat angazhuese duke i përfshirë qendrat e votimit dhe do të jemi në sigurim të personelit që e ka për detyrë grumbullimin dhe transportimin e materialit zgjedhor”, ka theksuar zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se edhe sa i përket pjesës veriore të vendit deri më tani nuk ka ndonjë indikacion për ndonjë ndikues negativ në gjendjen e sigurisë në vend.
“Sa i përket pjesës verore ne kemi pasur takime edhe me institucionet ndërkombëtare, si KFOR-i dhe EULEX-i, i kemi bashkërenduar aktivitetet të vetëdijshëm se ne jemi reaguesi i parë në çfarëdo rrethane dhe përfshirja e tyre vjen në konsideratë vetëm pas kërkesave tona”, ka shtuar Rexha.
Xheneta zbeh pëlqimin për Gjestin: Dua një partner që fjala ...
SHBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpush...
Manchester United ëndërron të mposht Real Madridin për të në...
Xheneta: Nuk do t’ia lejoja partnerit tim këngëtar që femrat...
Drita mposht Suharekën
Zbulohet kolonia e koraleve më e madhe në botë/ Mbi 300 vjeç...