Veteranët paralajmërojnë bojkotim të zgjedhjeve të 22 tetorit

19:12 | 19 Tetor 2017
Arbresh.info

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të dalin të votojnë në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Ata, pos bojkotimit të zgjedhjeve kanë paralajmëruar edhe protesta pas datës 24 tetor nëse pagat e tyre nuk dalin.

Janë bërë tre muaj që veteranët nuk kanë marrë asnjë cent nga qeveria. Kjo gjë po përshkruhet si mjaft e rëndë nga veteranët, pasi që shumica nga ta janë të varur nga kjo pagë.

Kështu ka thënë edhe Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

“Durimi do të na humb. Veteranët nuk do të dalin të votojnë. Është dobësi e madhe e partive politike sot me kërkua vota nga veteranët kur pagat  nuk po ua qesin. Le ta provojnë ata , Ramush Haradinaj ose Kadri Veseli qysh është me jetu pa pagë e çka do të bohet në  shtëpi te tyre e lerë më ne që s’kemi marrë paga qe tre muaj”, tha ai në një përgjigje për arbresh.info.

Ai theksoi se Qeveria e Kuvendi po ua imponojnë që të dalin në rrugë për të zgjidhur këtë çështje.

“Pas 24 tetorit, do të mblidhet kryesia e veteranëve dhe do të dalim me protesta në rrugë. Po na imponon qeveria e Kuvendi me dal në rrugë”, tha ai.

E Qeveria e Kosovës ia hedh fajin Kuvendit. Sipas drejtorit të zyrës për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahinit, pagat e veteranëve janë të varur  nga Kuvendi i Kosovës.

“Ministri Hamza  edhe përkundër që e ka gjetur gjendjen shumë të keqe,  pa mjetet në fondin e veteranëve nga Qeveria e kaluar, ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme duke i gjetur mjetet dhe akomoduar gjithë  kërkesat për paga të veteranëve  në rishikim të buxhetit. Rishikimi i buxhetit i ka të gjitha mjetet për pagat e veteranëve. Rishikimi i buxhetit  i propozuar nga Ministria e Financave është aprovuar nga Qeveria dhe është dërguar në Kuvend. Pra  është çështje  e varur nga Kuvendi, ku edhe ne si Ministri jemi në pritje të vendimit të Kuvendit”, ka thënë Shahini për arbresh.info.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se rishikimi i buxhetit në Kuvend parashihet të bëhet javën që vjen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme