Nga burgu i Hagës në Akademinë ushtarake serbe

18:47 | 19 Tetor 2017
Arbresh.info

Gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burg, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, së shpejti do të mund të mund t’i bartë përvojat e tij të luftës tek kadetët që shkollohen në Akademinë Ushtarake në Serbi.

Siç u ka thënë medieve serbe ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, gjeneralët, sikurse Lazareviqi, kanë shumëçka të rëndësishme që t’ua bartin kolegëve të rinj.

Përveç Lazareviqit, i cili ka qenë komandat i Korpusit të Prishtinës dhe Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, në mesin e ligjëruesve, sipas paralajmërimeve, do të mund të jenë edhe gjenerali i pensionuar, deputeti dhe anëtari i Partisë Radikale Serbe, Bozhidar Deliq, si dhe shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Lubisha Dikoviq.

Në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, për Radion Evropa e Lirë, thuhet se “Akademia Ushtarake do të vendosë se kush nga eprorët do të ligjërojë, ndërkaq propozimin do ta japë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë”.

Ndërkaq, Miroslav Lazanski, anëtar i Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe punë të brendshme, si dhe deputet i Partisë Progresiste Serbe, e cila është në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mënyrë absolute e mbështetë qëndrimin e ministrit Vulin.

“Zoti Lazareviq është i dënuar, por ai e ka vuajtur dënimin e tij. Prandaj, ai nuk po garon në asnjë plan politik, por ai duhet t’i shpërfaqë përvojat e tij nga lufta në Kosovë”, konsideron Lazanski.

Tribunali i Hagës, sipas tij, nuk është gjykatë për drejtësi, por vetëm instrument politik, siç ka thënë ai, “për ta shkruar historinë e re në Ballkan”.

Nemanja Stjepanoviq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se bartjen e përvojave tek kadetët, tani do ta bëjnë njerëzit, në zonën e përgjegjësisë të së cilëve dhe me pjesëmarrjen e njësiteve të tyre, kanë pësuar mijëra civilë.

“Së pari, Vladimir Lazareviq është dënuar si ndihmues në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dikush që është përgjegjës për dëbimin dhe zhvendosjen e dhunshme të civilëve shqiptarë të Kosovës, në vitin 1999. Ai e ka vuajtur dënimin dhe është kthyer në Serbi”.

“Në zonën e përgjegjësisë së brigadës 549 të komanduar nga Deliq, janë vrarë 2 mijë e 200 civilë shqiptarë. Në zonën e përgjegjësisë së Ljubisha Dikoviqit, janë vrarë 1 mijë e 400 civilë shqiptarë. Ndërkaq, në zonën e përgjegjësisë së Vladimir Lazareviqit, të Korpusit të Prishtinës, me të cilin ka komanduar ai nga data 24 mars deri me 10 qershor të vitit 1999, janë vrarë rreth 6 mijë e 200 civil”, tha Stjepanoviq.

Megjithatë, ministri Vulin, rreth dhjetë ditë më parë, në tubimin në Nish të ish eprorëve të Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllvisë, që ishte gjatë bombardimeve të NATO-s, në mesin e të cilëve ishte edhe Lazareviq, ka thënë se “nga këta njerëz… asnjëherë nuk janë ndje të turpëruar ushtria, të cilën e kanë komanduar dhe populli të cilin e kanë mbrojtur”.

“Ne jemi krenar me këta njerëz dhe ata janë dëshmi se sa i është kthyer vetes Serbia”, pati thënë Vulin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme