Google ADS

Ismaili: Do të punësojmë edhe 100 infermierë për klinikat e QKUK-së

17:38 | 19 Tetor 2017
Arbresh.info

Mbi 2 milionë euro është investimi për repartin e rinovuar të Mjekimit Intensiv Qendror të QKUK’së. Punimet në këtë repart kanë përfunduar dhe shumë shpejt pritet që të bëhet funksionalizimi i tij, por, duhen edhe rreth 20 infermierë të rinj që aty të fillojë puna.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv i SHSKUK-së, Basri Sejdiu dhe përfaqësues të TIKA-s turke, gjatë ditës së sotme kanë qëndruar në repartin e Mjekimit Intensiv Qendor të QKUK-së ku kanë parë nga afër finalizimin e punimeve për hapjen e këtij reparti në QKUK.

Gjatë kësaj vizite, Ismaili tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar dhe do të krijojë mundësi për punësimin e mjekëve dhe infermierëve për të cilët sektori i shëndetësisë ka shumë nevojë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore profesionale në kohë. Ministri ka theksuar se do të shqyrtojë mundësitë që, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të mundësojnë punësimin edhe të mbi 100 infermierëve, të cilët do të jenë në shërbim të të gjitha klinikave në QKUK.

“Do të shqyrtojmë mundësitë me ministrinë e Financave se si i kemi mundësitë që të paktën për stafin që na nevojitet ta funksionalizojmë këtë hapësirë. Sa i përket vitit të ardhshëm, unë po e ripërsëris edhe një herë, stafi infermier do të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta në të gjitha institucionet shëndetësore, për arsye se ne nuk mund të arrijmë te trajtimi, ose shërbimi i mirë mjekësorë pa pasur mjekë dhe pa pasur infermierë dhe infermiere të duhura. Të gjitha këto e shumë priorite të tjera do të jenë në listën e kërkesave për buxhetin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Ismaili.

E ndërkohë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHKSKUK’së, Basri Sejdiu, ka deklaruar që për funksionalizimin e këtij reparti duhen infermier shtesë.

“Të gjitha problemet do të zgjidhen brenda një afati sa më të shkurtër. Sa i përket stafit të mesëm, nevojiten dikund 20 infermierë dhe me premtimet e ministrit që të lejohet buxhet edhe për staf tjetër shtesë, besoj që do të mund t’ia dalim”, ka deklaruar Sejdiu.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme