Arrestohet sulmuesi i tre zyrtarëve policor në lagjen Dardania

13:40 | 19 Tetor 2017
L G

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth të dyshuarit, i cili në mëngjesin e sotëm ka sulmuar disa zyrtarë policore.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, policia  ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje në progres  në rrugën “Idriz Gjilani” në lagjen Dardania, në Prishtinë.

“Me të marr informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në gjendje flagrante ka hasur në personin e dyshuar,  i cili në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor me shpejtësi është futur në automjetin Golf V ngjyrë e zezë, dhe në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes i njëjti me automjetin në fjalë ka goditur tre zyrtarët policor që kanë qenë në vendngjarje duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje thuhet se në të njëjtën kohë i dyshuari ka goditur , konkretisht ka  aksidentuar edhe automjetin policor duke  shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

“Zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbenin një kërcënim të drejtpërdrejtë,  potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme”, njofton policia.

I dyshuari është  A. Sogojeva,  mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dhe i njëjti  ka marrë lëndime trupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore në QKUK, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Po ashtu zyrtarët policor të lënduar në këtë rast, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta  janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

Sipas policisë ndaj të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh.

Përveç operacionit të bastisjes i ndërmarrë sot përkitazi me rastin, policia në koordinim me prokurorin e shtetit dhe mekanizmat e tjerë përkatës po kryejnë edhe veprimet e tjera të nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje./Arbreshesh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme