Google ADS

Abrashi: Do t’i ndërpresim praktikat e injorimit të kuadrove të Prishtinës në arsim

12:26 | 19 Tetor 2017
Arbresh.info

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi që ka zhvilluar me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka thënë se do t’i ndërpresim praktikat e injorimit të kuadrove të Prishtinës gjatë punësimeve në sektorin e arsimit, siç ka ndodh në katër vitet e shkuara.

“Kuadrot e Prishtinës do të kenë përparësi gjatë punësimeve në arsim, jo vetëm për faktin se janë nga këtu, e njohin më mirë mentalitetin, por edhe për shkak se nga ajo që kemi dëgjuar, numri i orëve të humbura është shumë i madh pikërisht për faktin që shumë mësimdhënës udhëtojnë nga komunat tjera dhe nuk arrijnë me kohë dhe shumë herë ndodh që i humbin orët e para”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se është bërë diskriminim ndaj kuadrove të Prishtinës, pasi që 90% e të punësuarve në sektorin e arsimit janë nga komunat e tjera. “Ka pasur mësimdhënës nga një fshat që i ka plotësuar kushtet, ndërsa në të njëjtin fshat është pranuar dikush nga një komunë tjetër”, është shprehur Abrashi, duke theksuar se nuk ka asgjë kundër kuadrove të komunave tjera, por nuk ka arsye të anashkalohen kuadrot prishtinase nëse i plotësojnë kushtet.

Ai tha se vërejtje tjetër nga SBASHK ka qenë mungesa e transportit për mësimdhënës, megjithëse diçka e tillë është në kontratën kolektive.

Edhe për këtë çështje Abrashi ka premtuar angazhim të madh dhe gjithçka do të zgjidhet në bashkëpunim të ndërsjellë. Sigurimi i një zyre për Sindikatën e Prishtinës ka qenë një kërkesë tjetër e sindikalistëve të kryeqytetit, për çka është premtuar zgjidhje e shpejtë nga Abrashi.

Kryetari i sindikatës së arsimit fillor dhe të mesëm, Ahmet Pllana, ka thënë se gjatë kohës sa ishit ministër kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ai tha se Abrashi ka qenë iniciatori kryesor për rritjen e pensioneve dhe kjo ka bërë që mijëra punëtorë të arsimit që kanë arritur moshën, tashmë kanë pensione të dinjitetshme.

Edhe Mustafë Krasniqi ka thënë se është shqetësuese fakti që mbi 90 për qind e të punësuarve në Komunën e Prishtinës janë aktivistë partiakë dhe nga komunat tjera.

“Ajo që është edhe më keq, kemi informacione të sigurta se ata që janë të punësuar nëpër fshatra, nuk e dinë as ku gjendet ai fshat dhen fillimisht kanë problem për ta gjetur, prandaj raste të tilla nuk do të ndodhin. Ju jeni për t’i mbrojtur interesat e mësimdhënësve, ndërsa jam i bindur se edhe kryetari do ta  japë maksimumin e tij”, është shprehur Krasniqi.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme