Google ADS

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” drejt dështimit

09:51 | 19 Tetor 2017
M. A.

Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” po shkon drejt dështimit për shkak të kërkesave joreale që në vazhdimësi ka kompania “Contour Global”.

Por në anën tjetër, zyrtarisht zyrtarë të Qeverisë së Kosovës po e mohojnë një gjë të tillë.

Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” po shkon drejt dështimit, pasi kompania “Contour Global”, e përzgjedhur si kompania fituese për ndërtimin e këtij termocentrali, në vazhdimësi ka kërkesa financiare për institucionet e Kosovës.

Institucionet e vendit po ngurrojnë të nënshkruajnë kontratën me kompaninë në fjalë pasi që sipas parashikimeve një megavat orë energji elektrike në termocentralin e ri do të prodhohej me mbi 80 euro nga më pak se 30 euro sa është aktualisht.

“Në kohën kur do të aktivizohet termocentrali i ri energjia elektrike do të shtrenjtohet së paku për 40 euro. Qeveria e Kosovës po ngurron që ta nënshkruajë kontratën”, kanë bërë të ditur burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, sipas këtyre burimeve kompania në fjalë ka kërkuar mbështetje nga Qeveria e Kosovës që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet operative deri në fillimin e punimeve e të cilat kanë një kosto prej rreth 20 milionë eurosh.

“Po ashtu, kjo kompani ka edhe shumë kërkesa të tjera për Qeverinë e Kosovës”, ka bërë të ditur burimi në fjalë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme