Nis implementimi i projektit për bartjen e seteve të rrobave të personave të zhdukur

19:17 | 14 Tetor 2017
Arbresh.info

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore ka filluar me transferimin e seteve të para të rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për në lokacionin e ri të caktuar nga Ministria e Administratës Publike.
Kjo është bërë me qëllim të evitimit të dëmtimit të mëtutjeshëm të këtyre rrobave dhe artefakteve të gjetura së bashku me mbetjet mortore të personave të zhdukur, nëpër varrezat masive dhe individuale, të jashtëligjshme.

Lokacioni i ri i caktuar nga Ministria e Administratës Publike, sipas kërkesës së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, është përgatitur në përputhje me rekomandimet e prezantuara nga eksperti i angazhuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si përkrahës i këtij projekti.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, po ashtu, ka angazhuar edhe dy vullnetarë të Kryqit të Kuq të Kosovës, me qëllim të përgatitjes, në kuptimin e pastrimit, rievidentimit dhe risistemimit të rrobave dhe artefakteve që janë duke u bartur për në lokacionin e ri.

Gjatë kësaj jave, janë transferuar 70 setet e para të rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur, të identifikuar, të cilat janë dorëzuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa pritet që të vazhdohet edhe në javët në vijim me bartjen edhe të rrobave dhe artefakteve tjera, tashmë të gatshme për t’u transferuar.

Kryesuesi i KQPZH, Prenkë Gjetaj, ka thënë se projekti është një zgjidhje e përkohshme deri në krijimin e kushteve për një zgjidhje afatgjate, e që do të ishte vendosja në muzetë apo eventualisht në ndonjë kompleks memorial që do t’i dedikohej çështjes së personave të zhdukur dhe viktimave të luftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme