Presidenti: Shqipëria e ka obligim kushtetues t’i pajisë kosovarët me pasaporta

14:02 | 14 Tetor 2017
Arbresh.info

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ideja e tij për pajisje me pasaportë të Shqipërisë të shqiptarëve të Kosovës është e drejtë ligjore dhe kushtetuese e tyre dhe obligim kushtetues i Shqipërisë.

Kërkesën e tij, në një intervistë për DW, nuk e ka quajtur presion, por kërkesë fisnike dhe humane, duke bërë  thirrje që Shqipëria të sillet përgjegjshëm, për t’ua lehtësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

“Pas izolimit klasik që u ka bërë BE-ja qytetarëve të Kosovës dhe mbylljes së çdo vrime të shpresës që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, ne duhet të kërkojmë që këtë problematikë ta zgjidhim edhe në rrafshin kombëtar aq sa mund të zgjidhet. Kërkesa ime është e drejtë kushtetuese dhe ligjore duke respektuar kushtetutën e Kosovës por është edhe e drejtë dhe obligim kushtetues dhe ligjor i Shqipërisë”.

“Ne duhet të jemi realistë, të gjithë njerëzit e politikës në Kosovë duke përfshirë bartësit e institucioneve, ministrat, deputetët, elitat në Kosovë, të gjithë kanë pasaporta shqiptare dhe në të njejtën kohë kanë edhe shtetësinë e Kosovës dhe po ashtu mund të marrin shumë shpejtë viza në ambasadat në Kosovë. Por, kush janë të privuar nga e drejta për lëvizje të lirë, studentët, janë nganjëherë edhe njerëzit e biznesit, janë qytetarët e rëndomtë. Prandaj, Shqipëria  mendoj se duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme duke i kryer obligimet e saja kushtetuese”.

“Ky mund të jetë një vendim që më tepër ka karakter fisnik dhe human. Kërkesa ime nuk është presion ndaj Shqipërisë por është nevojë, kërkesë fisnike dhe shumë humane. Shqipëria mendoj se do të sillet përgjegjshëm dhe përsëri kërkesa ime është edhe me e fuqishme sot që edhe Presidenti Meta edhe kryeministri Rama të jenë në kryerje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore por edhe të përgjegjësive kombëtare që t’ua lehtësojnë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë nëpër zonën Shengen”.

“Shqipëria e ka obligimin kushtetues dhe ligjor, ndërsa ne e kemi të drejtën kushtetuese dhe ligjore. Derisa është diçka e lejueshme me kushtetutë dhe ligj, atëherë duhet të jetë e pranueshme edhe në veprim institucional qeveritar të të dy vendeve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme