Bie interesimi për fushatat elektorale

12:11 | 14 Tetor 2017
Arbresh.info

Dikur i mbushnin stadiumet, ndërsa tani po kanë problem t’i mbushin odat e restorantet. Partitë politike këtë vit nuk kanë gëzuar shumë përkrahje të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. E disa prej tyre edhe ju kanë dështuar me nga dhjetëra qytetar në sallë gjigante.

Analistët politik për Indeksonline vlerësojnë një rënie të interesimit të qytetarëve për pjesëmarrje në fushatë zgjedhore të partive si pasojë e zhgënjimit në premtime “astronomike”.

Sipas Belul Beqaj, rënia e interesimit ka dy shpjegime.

“Në njërën anë, është indikatorë i fillimit të vetëdijesimit se kjo klasë politike premtimet gjatë fushatës i ka sa për të mashtruar qytetarët me premtime që nuk kanë mbulesa. Arsyeja tjetër ndërlidhet me humbjen e shpresës  se Kosova ka subjekte politike dhe politikanë që janë në lartësi të përgjegjësive politike që reflektojnë nevojat dhe interes të qytetarëve”, ka thënë Beqaj për Indeksonline.

Sipas tij, qytetarët kanë filluar të kuptojnë se këta politikanë  “jetojnë nga politika”.

Beqaj me tutje ka shtuar se ndonëse fushata është shumë me e përgatitur, kandidatët dhe kryetarët e komunave janë me defekte serioze.

“Fushata elektorale është shumë më e përgatitur, ka kandidatë dhe kryetarë të komunave që kanë kualitete individuale me defekte serioze që dalin jashtë mundësive reale. Disa janë, mjerisht, nën hijen e partive që janë në rënie, tjerët shpresojnë se mjaftojnë të fitojnë sepse janë në listën e partisë në ngritje. Pak kandidatë komune janë nën nivelin e mundësive e personale për detyra që kërkojnë aftësi menaxheriale të konsiderueshme”, ka shtuar Beqaj.

Në anën tjetër edhe analisti politik, Mazllum Baraliu, thotë se qytetarët janë zhgënjyer nga klasa politike dhe premtimet e tyre astronomike.

“Ka shumë faktor që mos daljes së madhe të qytetarëve në fushatë por edhe në zgjedhje. Në radhë të parë qytetarët e të te gjitha shtresave, të gjitha partive, realisht janë të zhgënjyer me politikat, me punën, me veprimin dhe rezultate e partive të tyre. Kjo klasë politike marr në tërësi, vitet pas luftës, 19 vite po bëhen, ka humb kredibiliteti  tek qytetarët dhe  prandaj qytetarët nuk kanë besim. Në premtimet të cilat janë astronomike,utopike,absurde të parealizueshme dhe fantastike. Nuk marrin pjesë se nuk kanë çka presin, nuk kanë çka dëgjojnë, dhe e dinë se janë provuar me ato dëgjime se subjektet çka premtojnë nuk realizojnë. Në zgjidhin problemet e tyre dhe të drejtat e tyre, prandaj ka zhgënjim total masiv ku nuk marrin pjesë më të drejtë në fushatë”, është shprehur Baraliu për Indeksonline.

Edhe  Imer Mushkolaj, analist politik, thotë se qytetarët janë ngopur me premtime të papërmbushura, andaj ka rënë pjesëmarrja dhe besueshmëria e qytetarëve për fushata zgjedhore.

“Po vazhdon një fushatë me aspak entuziazëm, një fushatë që reflekton lodhje edhe të politikanëve, edhe të qytetarëve nga zgjedhjet e 11 qershorit. Me kalimin e viteve, pjesëmarrja e qytetarëve në fushatë do të jetë gjithnjë e më e vogël. Ata janë ngopur me premtime të papërmbushura, andaj ka rënë edhe besueshmëria e qytetarëve për politikanët dhe interesimi për fushata zgjedhore”, ka thënë Mushkolaj për Indeksonline.

Mushkolaj ka përmendur edhe një faktor që gjithnjë e më shumë po përfshihet në sferën e politikës.

“Nuk duhet harruar se edhe teknologjia e ka bërë të veten dhe qytetarët më nuk kanë nevojë të shkojnë në tubime për ta dëgjuar një premtim të kandidatit, kur këtë mund ta bëjnë nëpërmjet rrjeteve sociale”, ka shtuar Mushkolaj.

Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në zgjedhje lokale të cilat do të mbahen me 22 tetor. Qytetarët do të votojnë për të parin e Komunës dhe asamblenë komunale.

Ndryshe, fushata parazgjedhore deri me tani është zhvilluar pa incidente e me disa shkelje të evidentuara nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme