Greqi, avokati ekzekutohet në mënyrë mafioze në zyrën e tij

22:03 | 12 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme Greqinë. Një avokat i identifikuar si Michalis Zafiropoulos ka rënë pre e një sulmi mafioz me armë, duke mbetur i vdekur.

Gazeta helene “Prothothema” raporton se vrasja ka ndodhur në rrugën “Asklepios”.

Sipas dëshmive paraprake ka qenë asistenti i tij që telefonoi policinë në gjendje shoku, duke informuar Blutë se avokati ishte qëlluar me armë.

Oficerët e policisë hynë në zyrën e avokatit dhe e gjetën këtë të fundit të shtrirë në dysheme dhe me trauma abdominale, pasi ishte qëlluar në pjesën e barkut.

Në vendngjarje mbërriti Seksioni i Krimit dhe Sigurisë në Athinë që mblodhi prova dhe dëshmi për atentatin.

Dëshmitë e para flasin për dy atentatorë që flisnin një greqishte të rrjedhshme. Ata kishin hyrë në zyrën e avokatit duke u prezantuar si klientë. Mësohet se policia ka sekuestruar kamerat e dyqaneve dhe kontrollit të trafikut në zonë.

Në informacionet paraprake u tha se atentatorët ishin të maskuar, por policia hodhi poshtë aludimet duke bërë me dije se vrasësit nuk i kishin mbuluar fytyrat.

Policia ka marrë dëshmi si nga ndihmësi i tij ashtu edhe nga kolegë të tjerrë pranë zyrës së avokatisë të cilët ndodheshin në vendngjarje gjatë krimit.

greqi-1-1-768x513 greqi-2-768x512 greqi-4-768x513

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme