Burg për dhunuesin e deputetes në Parlament

20:24 | 12 Tetor 2017
Arbresh.info

Gjykata e Shkupit e ka dënuar sot 65-vjeçarin Pance Angelov me katër vjet burgim për pjesëmarrjen në sulmin që ndodhi në Parlament në muajin prill, gjatë të cilit u lënduan disa deputetë.

Në video-incizimet nga Parlamenti Angelov shihet duke e tërhequr për flokë deputeten e atëhershme Radmila Shekerinska, e cila tani është ministre e Mbrojtjes.
Gjatë seancës së 6 tetorit, Angelov e pranoi fajin dhe tha se i vinte keq për atë që kishte ndodhur.

Ai pretendonte se në të vërtetë ishte duke u përpjekur t’i ndihmonte Shekerinskës për ta larguar nga turma e dhunshme.

Ai i kërkoi Gjykatës që kur ta marrë vendimin të merrte parasysh moshën e tij dhe faktin se jetonte i vetëm.

“Nëse do të më dërgoni në burg nuk do të ketë asnjë person të kujdeset për mua”, tha ai.

Mësymja në Parlamentin maqedonas filloi më 27 prill vetëm pak minuta pasi që në krye të Kuvendit u zgjodh, për herë të parë, një shqiptar – Talat Xhaferi.

Zgjedhja e Xhaferit i hapi rrugë procesit të formimit të Qeverisë nga opozita e atëhershme.

Përkrahësit e Qeverisë, të udhëhequr nga partia VMRO DPMNE, u larguan nga Parlamenti pas disa orësh, duke lënë prapa të plagosur rreth 100 vetë, përfshirë gazetarë dhe 10 deputetë.

Video-incizimet treguan Angelovin duke e tërhequr për flokësh me forcë dhe si rezultat ajo ishte lënduar, me ç’rast i kjishte rrjedhur gjak nga koka.

Në një video-incizim tjetër shihet lideri i LSDM-së, Zoran Zaev (i cili më vonë do të bëhej kryeministër), i plagosur në kokë.

Më së keqi e kishte pësuar lideri i partisë opozitare Lëvizja për Reforma-PDSH, Zijadin Sela, i cili ishte rrahur deri sa kishte humbur vetëdijen dhe ishte tërhequr zvarrë nëpër dyshemenë e Parlamentit.

Dhuna kishte vazhduar për rreth dy orë, duke ngjallur pikëpyetje pse Parlamenti mbeti I pambrojtur për kaq kohë të gjatë nga Policia.

VMRO DPMNE, tani në opozitë, kishte thënë se sulmi në Parlament ka qenë një ngjarje spontane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme