Presidenti Hashim Thaçi e ka publikuar fjalimin e tij të mbajtur në konferencën me rastin publikimit të raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale: rreziqet dhe mundësitë”.
Kjo pasi ka pasur reagime të shumta pas fjalimit të tij.
“Në rastin më të keq, disa nga reagimet ndaj këtij fjalimi janë pasojë e keqkuptimeve edhe të qëllimshme”.
Më poshtë fjalimi i plotë:
Sot është një mundësi e re për të diskutuar për një çështje aq të rëndësishme siç është ajo që në zhargonin e përditshëm tani njihet si “Gjykata Speciale”.
Kemi dëshmuar tanimë se do të prekim çdo temë dhe do të diskutojmë për çdo temë.
Kemi dëshmuar se në shoqërinë tonë nuk do të ketë tabu.
Sepse e dimë se aty ku nuk ka komunikim, aty ka konflikt. Aty ku paragjykimet dhe injoranca mbizotërojnë, aty ka konflikt.
Sot do të diskutohet për “Gjykatën Speciale”, për atë se çfarë dimë e çfarë nuk dimë për të, çfarë presim prej saj, por mbi të gjitha për atë se çfarë ndikimin mund të ketë ajo në shoqërinë tonë.
Siç tregojnë edhe të gjeturat e juaja, ekzistojnë keq-informata, pritje jo-reale, dezinformata të qëllimshme, për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale.
Në rrethana të tilla, vështirë se Gjykata Speciale do të mund të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës por edhe për të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë.
Janë gati dy dekada që ka përfunduar lufta në Kosovë por shumë plagë nga lufta mbesin të hapura.
T’i kujtojmë brengat e familjeve me persona të pagjetur, që ende nuk kanë gjetur prehje.
T’i kujtojmë viktimat e dhunës seksuale, që vetëm tani kanë pranuar të njihen si viktima dhe të kuptohen vuajtjet e tyre.
Por, kjo vlen edhe për familjet e viktimave që ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet që u janë shkaktuar.
Kemi shënuar hapa të rëndësishëm në të drejtën për drejtësi, në të drejtën për të ditur, në të drejtën për reparacione si dhe në ndërtimin e mekanizmave që do të garantojnë se lufta më nuk do të përsëritet.
Kur jemi tek e drejta për drejtësi, janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë e dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar.
Gjykatat e Kodovës, Gjykatat e UNMIK-ut, ato të EULEX-it, Tribunali i Hagës, dhe tani Gjykata Speciale.
Përkundër tërë përpjekjeve, ende ka ndjenjë se nuk është bërë mjaft drejtësi. Pritjet jo-reale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj.
Rrjedhimisht, kjo do të zbeh besimin në tërë sistemin e drejtësisë, kosovare e ndërkombëtare.
Hulumtimi juaj ka zbuluar shumë nga këto sfida por edhe jep rekomandime si të ballafaqohemi me këto sfida.
Por, në këtë fushatë duhet të përfshihet jo vetëm vet Gjykata Speciale por edhe politika, institucionet shtetërore, shoqëria civile, mediat, bota akademike.
Gjykata Speciale është një avantazh për Kosovën. Një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë.
Më lejoni të fillojmë diskutimet rreth raportit tuaj për perceptimet e opinionit publik rreth Gjykatës Speciale.
– Sipas opinionit publik të përgjithshëm në Kosovë dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë, publikim mi i Raportit të Dick Martit nuk ka qenë aksidental, por i motivuar politikisht.
– Votimi i shpejt e shpejt në Këshillin e Evropës nuk ka qenë i rastësishëm, në kohën kur në Kosovë zhvilloheshin negociata për krijimin e qeverisë së re.
– Publikimi i pjesëve të raportit paraprakisht në disa mediume ndërkombëtare me ndikim nga oligarkët rusë, në Kosovë është i kuptueshëm pse ka ndodhur.
– Pa titull, raporti për “Trafik organesh nga lidershipi i Kosovës” ky raport nuk do të kishte kuptim as jehonë, qoftë brenda qoftë në opinionin publik ndërkombëtar, ashtu siç nuk do të kishte kuptim libri i Carla del Pontes pa përmendur shtëpinë inekzistente fantazmë, Shtëpinë e Verdhë.
– Raporti është shprehje e mllefit ndaj kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo nuk ishte e rastësishme, sepse shkruhej nga një njeri që ishte hapur kundër bombardimeve të NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës.
– Me bërjen publike të raportit deklarova se do ta padisim Dick Martin, ndërkohë, dihej se senatori kishte imunitete si euro -deputet, prandaj padia nuk ndodhi.
– Institucionet e Kosovës këtij raporti iu përgjigjën me përgjegjësinë më të lartë shtetërorë dhe demokratike. I dhanë mbështetje drejtësisë ndërkombëtare për hetim.
– Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale, erdhi si nevojë politike ndërkombëtare, e aktorëve ndërkombëtarë, se sa për drejtësi.
– Pranimi ynë ndodhi në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtar, me arsyetimin se duhet ta “kënaqim” Beogradin dhe Rusinë, që kjo çështje të mos delegohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
– Që ta ruaj partneritetin strategjik me SHBA-në BE dhe NATO-n pranova që të udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik ndaj kësaj Gjykate.
– Na u premtua nga bashkësia ndërkombëtar se do te mund te aplikonim për anëtarësim ne Këshillin e Evropës, që do të ndodhte, liberalizimi i shpejtë i vizave, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim ne UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt, si dhe do te kemi njohje te reja.
– Kosova mbajti fjale themeloni gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi përkundrazi Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik.
– Kosova, si asnjë vend tjetër në rajon bashkëpunoi më Gjykatat ndërkombëtare.
– Për dallim nga Serbia Bosnja dhe Kroacia është fakt i mirënjohur tashmë se të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht në Hagë.
Kosova u tregua më lojalja, por u ndëshkua më së shumti.
– Një miku im, që është këtu i pranishëm, duke diskutuar rreth Gjykatës speciale u thashë se ajo është gjykatë hibride. Ai u përgjigjej Jo nuk është hibdride, sepse vetëm ligjet janë të Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët janë ndërkombëtarë, ndërsa 80 mijë informata, raporte dhe dosje janë dorëzuar nga Beogradi, duke përfshirë edhe pjesë nga Raporti i Dick Martit.
– Sa i përket Gjykatës duhet ta themi saktë atë që dimë. Gjykata Speciale do t’i shqyrtojë vetëm pretendimet e ngritura për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, aq sa di unë.
– Gjykata Speciale ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë dhe Zyrën për krime lufte në Beograd, të dhëna këto të deklaruara nga Gjykata por edhe nga autoritetet e Beogradit.
– Me Kosovën bashkëpunimi është minimal, simbolik dhe i njëanshëm. Të mos themi se nuk ka bashkëpunim fare, ka informim minimal procedural nga Gjykata për autoritetet nga Kosova.
– Autoritetet në Beograd pretendojnë se e dinë se kush do të akuzohet dhe pse do të akuzohet nga shqiptarët e Kosovës.
– Dëshiroj të shpreh konsideratë për qeveritë rajonale që kanë bashkëpunuar më Gjykatën, për atë të Shqipërisë dhe të Malit të Zi.
Pra, duhet ta themi atë që dimë dhe ta themi saktë.
Gjykata Speciale do të merret vetëm me krimet e supozuara vetëm individët pjesëtarë të UCK-së.
Kjo rezulton edhe në gjetjet tuaja se rreth 80 përqind e qytetarëve e shohin si të padrejtë dhe nuk kanë besim në këtë Gjykatë, ndërsa serbët besojnë plotësisht, sepse janë të informuar saktë se asnjë serb nuk do të jetë i akuzuar.
Pra është gjykatë një etnikë.
Mbi 50 përqind e qytetarëve janë të gatshëm të hidhen në protesta, sepse janë të vetëdijshëm se kjo Gjykatë do të merret vetëm me shqiptarë dhe asnjë serb.
Pra, nuk do të shqyrtohet asnjë nga 400 masakrat e kryera në Kosovë nga shteti i Serbisë.
Nuk do të merret me asnjë nga rastet e mbi 20 mijë dhunimeve të grave në Kosovë.
Me asnjë rast të 12 mijë shqiptarëve të vrarë dhe as me rastin e 2500 personave të zhdukur shqiptarë.
Kjo Gjykatë nuk do të merret me asnjë krim të Serbisë në Kosovë.
Si President i vendit jam i përkushtuar për të vërtetën dhe pajtimin.
Por, Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e padrejtësive në Kosovë.
Shtrohet pyetja a do ta nxjerr të vërtetën dhe do ta sjell pajtimin ndëretnik kjo Gjykatë?
Për të “vërtetën” e saj fola më lart.
Të dhënat tuaja flasin se shqiptarët sa më tepër dhe sa më saktë që po informohen, pakënaqësia e tyre po rritet, ndërsa tek serbët dhe Serbia po rritet entuziazmi.
Për mendimin tim kjo po lëndon përpjekjet për pajtim ndëretnik dhe stabilitetin social dhe politik të Kosovës.
Të gjithë flasim dhe punojmë që askush të mos jetë mbi ligjin.
Tani ky mesazh nga shqiptarët shihet me mosbesim të theksuar, sepse duke qenë një etnike, ata po e kuptojnë se imunizohen kryerësit e gjenocidit mbi popullatën e Kosovës.
Kjo Gjykatë mendohet se mund të sjellë një masë drejtësie në Kosovë.
Jam i sigurt se do të sjell dialog kuptimplotë, siç e keni theksuar edhe ju, lidhur me faktet historike për periudhën e luftës.
Në një debat që kish këto ditë një student m’u drejtua: Kjo gjykatë mund të sjell privim të disa individëve nga liria, për një kohë të caktuar, por jo drejtësi dhe pajtim ndëretnik. Sipas tij kjo Gjykatë do të ndaj edhe më shumë komunitet shqiptare dhe serbe edhe më shumë.
Se a do të ketë ndikim pozitiv politik dhe shoqëror, pritet të shihet.
Ju faleminderit!
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut