Dyshohet se është djegur vetura e atentatit në Lushnje

08:35 | 12 Tetor 2017
arbresh.info

Një atentat mafioz me dy viktima është shënuar rreth orës 18:00 në qytetin e Lushnjes. Dy të vrarë dhe një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i ngjarjes së ndodhur në shëtitoren kryesore dhe mjaft të populluar të qytetit.

Autorë ende të paidentifikuar mësohet se kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në drejtim të viktimave. Viktimat janë identifikuar si shtetasit Zamir Latifi, 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha, 22 vjeç, raporton SOTNews.

Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur dhe shtetasi Mario Xhepexhiu, 26 vjeç, pronar i lokalit ku ishin ulur viktimat, banues në lagjen “Loni Dhamo”.

Ky i fundit është transportuar në drejtim të Tiranës për mjekim më të specializuar. Nga ngjarja, sipas policisë, ka mbetur gjithashtu i dëmtuar lehtë shtetasi Bujar Turku, 66 vjeç, i cili mësohet se ka qenë kalimtar i rastit në vendin e ngjarjes. Ai ndodhet në Spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve pa probleme për jetën.

Zair Latifit i është bërë atentat edhe një vit më parë me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares. Nga atentati i një viti më parë mori një plumb në këmbë Xhulio Shkurti, ndërsa i plagosur mbeti shoku tjetër i tij, Sajmo Xhelili.

Dy shënjestrat e atentatit të ditës së djeshme po qëndronin pranë një lokali të frekuentuar prej tyre çdo ditë në lagjen “Loni Dhamo” në vendin e quajtur Ura e Çeleve. Nga Hyrja e qytetit ka ardhur mjeti ku ndodhej një person me maskë dhe me kallashnikov në dorë, i cili ka qëlluar me breshëri duke i vrarë në vend dy të rinjtë.

Më pas, automjeti është larguar për në perëndim të qytetit ndërsa policia ka nisur kërkimin e autorit.Dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregojnë se gjithçka ishte e përgatitur dhe nuk bëhej fjalë për një ngjarje të momentit. Lushnja, qyteti që ka vuajtur shumë nga luftërat e bandave të 1997-s, kishte kohë pa parë një ngjarje të këtij lloji, raporton SOTNews.

Vendi ku ndodhi vrasja është shumë pranë komisariatit të policisë. Sapo janë dëgjuar krismat në vendin e ngjarjes mbërritën policët që rrethuan zonën. Viktimat janë identifikuar shpejt ndërsa janë marre në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Ndërkohë që një makinë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët, është gjetur e djegur në aksin rrugor Lushnje-Berat.

Forca të shumta policie, përfshirë edhe RENEA-n, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Ndërkohë, është ngritur dhe grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Automjeti i djegur

Në fshatin Çukaj përgjatë aksit rrugor Lushnje-Berat është gjendur një automjet i djegur. Automjeti i djegur në këtë aks dyshohet se është përdorur nga atentatorët e ditës së djeshme, të ndodhur në qytetin e Lushnjes. Policia bën të ditur se në automjetin e atentatorëve ka gjetur tre armë zjarri kallashnikov, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët në atentatin e pasdites së djeshme. Gjithashtu është ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme