SHBA, sërish bombardues mbi Kore, stërvitje me korano-jugorët

13:58 | 11 Tetor 2017
Arbresh.info

Në kohën kur retorika me Korenë e Veriut u fashit disi ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një stërvitje të përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut, e dërguan dy bombardues strategjikë mbi gadishullin korean.

Avionëve të tipit “B-1B” iu bashkuan më vonë dy “F-15K” të Seulit, e së bashku lëshuan raketa ajër-tokë, në vazhdën e manovrave të kryera mbi ujërat koreano-jugore.

Më herët, edhe Kina u ankua nga kalimi i një destrojeri amerikan shumë pranë ishujve të Detit të Kinës Jugore, të kthyer në “mollë sherri” mes Pekinit dhe fqinjëve.

Muajin e ardhshëm, Trump do të mbërrijë në Azi për vizitën e tij të parë atje si president, e cila do të përfshijë edhe një ndalesë në Kinën e përballur aktualisht me presionin për të bërë më shumë në lidhje me Korenë problematike të Veriut, aleaten dhe njëkohësisht partneren e saj tregtare.

Peniani i ka parë gjithmonë si kërcënim stërvitjet e zhvilluara prej Amerikës me Korenë e Jugut në pragun e shtëpisë së tij, edhe pse zyrtarët e të dyja vendeve në fjalë kanë këmbëgulur vazhdimisht se ato janë të një natyre mbrojtëse.

Situata tani është më ndryshe, sepse manovrat vijnë në mesin e një përshkallëzimi të ndjeshëm të tensioneve me Penianin, për shkak të programit të tij bërthamor. Këto muajt e fundit, ai kreu testin e 6 atomik e lëshoi dy raketa mbi Japoni, ndërsa Kim Jong-un është përfshirë në një shkëmbim të nxehtë fyerjesh e kërcënimesh me presidentin amerikan Donald Trump.

/Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme