Google ADS

Policia duhet të zbatojë urdhrat e gjykatave

10:00 | 11 Tetor 2017
arbresh.info

Policia e Kosovës duhet të zbatojë urdhrat e gjykatave, dhe dhe çdo tejkalim apo anashkalim i procedurave standarde të veprimit dhe ligjit, sipas analistëve mund të ndikojnë në besimin e qytetarëve lidhur me pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e Policisë.

Deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi nuk janë paraqitur as dje në gjykatë për hedhjen e gazit lotsjellës  në seancën e Kuvendit të Kosovës.

E Policia e Kosovës ka konfirmuar  që afati i caktuar nga gjykatësi për ta sjellur Kurtin në gjykatë ka qenë  deri në orën 9:00 të së martës. Por pavarësisht kësaj kjo nuk ka ndodhur për shkak se Policia e Kosovës e ka kërkuar Albin Kurtin në disa lokacione dhe nuk e ka gjetur.

E për këtë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për arbresh.info se në rastin konkret me rëndësi është që policia të veproj në bazë të procedurave standarde të veprimit dhe obligimeve që dalin nga ligji.

“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës, përfshirë letërthirrjet e gjykatës për të u paraqitur në seanca gjyqësore janë obligim ligjor dhe çdo kush qe është subjekt i këtyre procedurave duhet të sigurohet që t’i përgjigjet gjykatës. Procedurat lidhur me ekzekutimin e urdhrave të gjykatës janë të rregulluara me ligj, ku edhe Policia në kuadër të obligimeve të saj ka zbatimin dhe ne raste kur kërkohet nga gjykata edhe arrestimin e personave të kërkuar.  Ne rastin konkret, me rëndësi është që Policia të veproj në bazë të procedurave standarde të veprimit dhe obligimeve që dalin nga ligji”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket deklaratave të Policisë që nuk kanë mundur ta gjejnë deputetin Kurti pas disa kërkimeve në disa lokacione, Miftaraj ka shtuar se është ende herët për të gjykuar sjelljen e policisë.

“Si  Kurti ashtu edhe Bujupi janë fytyra publike dhe çdo tejkalim apo anashkalim i procedurave standarde të veprimit dhe ligjit nga ana e Policisë lidhur me mos zbatimin e urdhrave të gjykatës ndaj tyre në publik mund të ndikojnë në besimin e qytetarëve lidhur me pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e Policisë. Në këtë fazë është ende herët për të gjykuar sjelljen e policisë në rastin konkret”, ka pohuar Miftaraj për arbresh.info.

Kurse njohësi i sigurisë Avni Islami ka thënë se mos gjetja e deputetëve nga ana e policisë nuk është dështim i tyre por respektim i kodit dhe etikës policore.

“Nuk është dështim operacional i policisë por është respektim i kodit dhe etikës policore pasi që të them me bindje se policia e ka ditur se ku janë deputetët mirëpo nuk do të thotë që në çdo kohë dhe në çdo moment të merren dhe të arrestohen individë që janë në këtë rast deputetët janë me influencë dhe janë përfaqësues të popullit. Ata nuk kanë ikur, nuk kanë shkuar askund kështu që mendoj se vendimi i policisë është i drejtë sepse nuk është e nevojshme që të arrestohen deputetët qoftë në tubime elektorale apo edhe në vende publike për shkak se ata deputetë mund të arrestohen në vende ku janë më pak të frekuentuara ku nuk duket apo nuk prishet imazhi i deputetit”, ka thënë Islami.

Për shkak të mungesës së Albin Kurtit e Donika Kadaj- Bujupit, seanca u shty më 22 nëntor. Ndaj Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit u përsërit urdhëresa për sjellje të tyre me detyrim në gjykatë.

Kurti e Kadaj-Bujupi munguan edhe në seancën e 13 shtatorit, ndërsa edhe në atë gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të tyre në gjykatë./Jehona Zhuniqi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme