Google ADS

Deputetët e Vetëvendosjes vazhdojnë të mos e përfillin Gjykatën

21:07 | 10 Tetor 2017
M. A.

Senaca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, edhe sot nuk është zhvilluar.

Edhe kësaj radhe, arsyeja e shtyerjes janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi të cilët as sot nuk u paraqitën në Gjykatë.

Kurti e Kadaj-Bujupi bashkë me Albulena Haxhiun e Faton Topallin akuzohen për hedhjen e gazit në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë rast në cilësinë e dëshmitarëve janë të ftuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, Flora Brovina dhe Bekim Haxhiu.

Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra kishte vendosur që në rast mungese, dy deputetët e VV-së të sillen me forcë në seancë nga Policia.

Por kjo nuk ka ndodhur as në seancën e sotme.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti gjatë ditë ka bërë të ditur për lajmi.net se përkundër disa kërkimeve, ata nuk kanë arritur t’i gjejnë dy deputetët e VV-së.

“Ne e kemi pas një urdhëresë për me shoqëru në një seancë personin në fjalë, e kemi kërkuar në lokacione të caktuara nuk e kemi gjet. Urdhëresa nuk është realizuar dhe për këtë e kemi njoftuar gjykatësin”, ka thënë Ahmeti.

Gjyqtari i rastit kishte deklaruar gjatë gjthë kohës se ka lëshuar fletarrest për deputetët që nuk po paraqiten në seancë, e pikërisht për këtë arsye ai e kishte gjobitur kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin i cili ishte në cilësinë e dëshmitarit.

Fletarresti për Albin Kurtin ishte tërhequr nga Kalludra gjatë kohës së zhvillimit të zgjedhjeve qendrore, pasi Albin Kurti ishte kandidat për kryeministër.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë disa herë me zyrën për informim të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe me vet deputetët e kësaj partie,për të kuptuar arsyet e mos-shkuarjes në seancë, por ata vazhdimisht e kanë mbyllur telefonin.

Mos-prezenca në seancë e Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit bëri që gjyqtari, Beqir Kalludra të shtyejë seancën për datën 22 nëntor.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti e deputetë tjerë të VV-së shmangen nga ftesat e Gjykatës.

Ish-lideri i Vetëvendosjes nuk ishte paraqitur në seancë as më 21 prill të këtij viti.

Akuza ndaj deputetëve të Vetëvendosjes ishte ngritur më datën 16 dhjetor 2015, pra gati dy vite nga ngritja e aktakuzës, ende nuk ka vendim nga Gjykata.

Kujtojmë se ditë më parë, edhe kandidati për deputet i VV-së, Sadri Ramabaj u kap në portin e Durrësit duke tentuar të ikë me dokumente false për në Itali.

Ramabaja është duke u dyshuar për terroizëm, dhe vrasjen e përfaqësuesve të lartë të Kosovës, akuza të cilat i ka mohuar avokati i tij.

Në rast gjyqësor në këtë parti, janë edhe Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti janë liruar nga arresti shtëpiak kohëve të fundit, pasi të njëjtit dyshoheshin për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe raporte nga organizata të ndryshme bëjnë të ditur, se qytetarët vazhdimisht po humbin besimin në drejtësi, për shkak se po e cilësojnë si selektive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme