Pendimi i kreut të shtetit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet luftës në Kosovë, nuk mund të prodhojë asnjë efekt në raport me vet gjykatën por as ndonjë reagim të opinionit karshi kësaj gjykate, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të aspekteve juridike në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e hënë, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, e ka cilësuar themelimin e Gjykatës speciale, “proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”. Ai ka theksuar se ka pranuar ta udhëheqë këtë proces, si kompromis, me premtimet nga faktorëve ndërkombëtarë, për liberalizim të vizave, për formimin e ushtrisë, pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe rritjen e numrit të njohjeve nga vendet e ndryshme.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se reagimi i presidentit Thaçi, vjen si pasojë e zhgënjimit me faktorët e caktuar ndërkombëtarë, që nuk realizuan kompromiset, për të cilat opinioni vendor nuk ka pasur informacione në kohë reale. Por, siç thotë Tahiri, pendimi i kreut të shtetit lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale, nuk do të mund të ketë asnjë ndikim në punën e kësaj të fundit.
“Kjo gjykatë nuk mund të abrogohet, sepse nuk pritet që Kuvendi të rishqyrtojë dhe të marrë vendim tjetër, megjithëse kishte disa përpjekje në të kaluarën, para disa muajve në Kuvendin e Kosovës. Kjo është thjeshtë një lloj, ndoshta, shfajësimi – që kjo gjykatë po punon – i Hashim Thaçit, tash në funksionin e presidentit. Por, nuk mendoj që do të ketë ndonjë ndikim praktik, përveç që do të ketë ndikim në marrëdhëniet e Kosovës ose të vet presidentit me faktorin ndërkombëtar”, thotë Tahiri.
Por, eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është krejtësisht e parëndësishme nëse janë penduar ose jo drejtuesit e institucioneve të Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale. Sipas tij, presidenti Thaçi, i cili në kohën e nisjes së procesit për themelimin e Gjykatës Speciale ishte në pozitën e kryeministrit, është dashur t’i bëjë publike kompromiset.
“Është pendim ose jo, kjo është jorelevante. Si zakonisht, eksponentët e institucioneve tona, kanë qenë vazhdimisht në funksion të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq, kjo që tash ai (Thaçi) po thotë se ka pasur një kompromis, për këtë kompromis ne nuk kemi ditur. Është dashur që atëherë, ata dhe ky vet, të këmbëngulin që kur bëhen marrëveshje të tilla, kompromisi të ketë mekanizma garantimi, që ato të realizohen dhe jo që Kosova vazhdimisht të humbë”.
Por, a mund të krijojnë efekte në opinionin publik deklaratat e presidentit Thaçi, lidhur me Gjykatën Speciale?
Politologu Tahiri shpreh mendimin se kjo deklaratë mund ta nxisë opinionin, por mendimi dhe reagimi eventual i opinionit nuk mund të ndikojë në punë e Gjykatës Speciale.
“Reagime të opinionit do të ketë, sepse askush, duke përfshirë edhe vet presidentin, nuk janë të amnistuar nga hetimi i kësaj gjykate dhe nga procesi i drejtë dhe i ndershëm që do të mundësohet, varësisht prej dispozitave ligjore që janë paraparë me këtë ligj. Mirëpo, kjo punë nuk ndihmon, sepse opinioni dhe ndikimi i opinionit në proceset gjyqësore është i pavarur prej punës së vet gjykatës”.
Profesor Baraliu nuk pret reagim nga opinioni, për shkak se sipas tij, reagimi i Presidentit është i vonuar.
“Ndoshta është reagim i vonuar edhe i vet Presidentit, për shkak se atëherë është dashur të veprojë dhe të mos lejojë kompromise të tilla që të mos realizohen edhe në dobi të Kosovës, që të përfitojë diçka edhe Kosova dhe jo vetëm të humbë, siç është rasti me Gjykatën Speciale, e cila me të vërtetë është e padrejtë”.
Presidenti Thaçi, megjithatë ka deklaruar se Gjykata Speciale “do të jetë vetëm një pikë drejtësi”, siç ka thënë ai, “në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”. Ai ka ngritur pikëpyetjen se “a do ta nxjerrë të vërtetën dhe a do të sjellë pajtim ndëretnik”, Gjykata Speciale, e cila pritet që në një të ardhme shumë të afërt të procedojë me rastet e para.
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...
Ukraina do t’i kërkojë NATO-s ftesë për anëtarësim javën e a...
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...
Incidenti me flamurin, Siljanovska: Mosrespektimi i simbolev...