Google ADS

Washington Post: Thaçi akuzon komunitetin ndërkombëtar për mosmbajtje të fjalës

14:50 | 10 Tetor 2017
Arbresh.info

Deklaratat e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për Gjykatën Speciale janë pasqyruar në shumicën e mediave ndërkombëtare.

Gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” shkruan se presidenti i Kosovës të hënën akuzoi komunitetin ndërkombëtar se nuk e ka mbajtur fjalën edhe pasi vendi krijoi një gjykatë jopopullore të krimeve të luftës për të ndjekur penalisht shqiptarët etnikë në rastet e lidhura me luftën e Kosovës.

Sipas gazetës, Hashim Thaçi ka thënë se në mesin e gjërave që zyrtarët ndërkombëtarë premtuan në këmbim të kësaj gjykate ishte një rrugë me e shpejtë drejt procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, UNESCO, liberalizim të vizave dhe që Kosovës t’i lejohet të formojë ushtrinë.

“Kosova krijoi gjykatën, por bashkësia ndërkombëtare nuk bëri asnjë nga gjërat që premtoi”, citohet Presidenti nga Washington Post.

Gjykata Speciale e Kosovës u themelua në Hagë vitin e kaluar, por deri më tani nuk ka proceduar asnjë rast.

Gazeta shkruan se 19 gjykatës ndërkombëtarë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, SHBA-të dhe Kanadaja janë të vendosur në Hagë, me juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera që mbulojnë ligjet e Kosovës e që dyshohet se kanë ndodhur ndërmjet 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

“Rreth 10 mijë persona vdiqën dhe 1700 u zhdukën gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, e cila përfundoi pas ndërhyrjes së NATO-s, në emër të shumicës shqiptare”, shkruan më tej gazeta.

Thaçi sipas gazetës amerikane, ka thënë se është pajtuar të udhëheq “një proces të padrejtë historik për Kosovën, pavarësisht kundërshtimit nga opinioni publik, politik dhe civil për këtë gjykatë, në mënyrë që të mbrojë partneritetin strategjik me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”.

Presidenti Thaçi ka thënë se gjykata ishte një padrejtësi për Kosovën.

Gjykata Speciale ka pasur “bashkëpunim maksimal dhe bilateral me Serbinë” por “bashkëpunim minimal, simbolik dhe të njëanshëm” me Kosovën”, është cituar Thaçi në këtë gazetë.

“Autoritetet në Beograd pretendojnë se e dinë se kush do të akuzohet dhe çfarë akuzash do të jenë për shqiptarët e Kosovës”, tha Thaçi duke shtuar se “serbët i besojnë plotësisht kësaj gjykate, sepse ata janë të informuar saktë se asnjë serb nuk do të akuzohet”.

Washington Post shkruan se presidenti Thaçi deklaroi se Gjykata Speciale nuk do t’i shqyrtojë asnjë nga “400 masakrat” ose ndonjë prej më shumë se 20 mijë rasteve të dyshuara të grave shqiptare në Kosovë të përdhunuara nga pjesëtarët e forcave serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme