Nis gjykimi ndaj Enver Hasanit, dëshmon rektori i UP-së, Marjan Dema

14:02 | 10 Tetor 2017
Arbresh.info

Ka nisur gjykimi ndaj Ish- rektorit të UP-së, Enver Hasani, në të cilin rast po dëshmon rektori i tanishëm i UP-së, Marian Dema.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores speciale, Drita Hajdari, rektori Dema tha se në vitin 2008 ka qenë prorektor për financa në Universitetin e Prishtinës.

Dema tha se nuk ka pasur ndonjë kompetencë për lidhjen e kontratave mes UP-së dhe subjekteve tjera, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, kjo kompetencë ka qenë në duar të Enver Hasanit.

“Kjo kontratë ka qenë e mbikëqyrur nga Enver Hasani, andaj nuk kam kurrfarë lidhje me këtë kontratë, ngase ato i bën zyra e prokurimit”, tha Dema.

Ai tregoi se ishin takuar me Hasanin dhe me disa persona të Agjencionit të Prokurimit ku ishin dakorduar të shkohet me një operator teknik.

 “Jemi taku me Enver Hasanin, në restorant Pishat dhe pas kësaj ky organ ka bërë revokimin e një neni që t’i jepet tenderi operatorit në fjalë.  Kam qenë unë, Enver Hasani,  Haki Veli dhe disa persona të Agjencionit të prokurimit. Tema e bisedës ishte që të shkohet me një operator ekonomik.  Nuk më kujtohet ideja e kujt ishte kjo, por qëllimi ishte të zgjidhet kjo çështje, pasi tenderi kishte dështuar dy herë dhe unë kam menduar që ishte prioritet përkthimi i librave. Por kontrata është lidhur me 05.12.2008 dhe kjo kontratë është shkruar nga zyra e prokurimit, kjo vlen për kontratat që i nënshtrohen zyres së prokurimit”, u shpreh Dema.

Ai tha se nuk ka qenë prezent gjatë nënshkrimit të kësaj kontrate por as kontratave të tjera, ngase s’ka qenë në detyrën e tij në atë kohë.

Rektori Dema ka dhënë dëshmi në rastin kundër ish-rektorit të UP-së, Enver Hasani, ish- shefit të Zyrës së Prokurimit në UP Hakif Veliu si dhe ish- drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), Albert Rakipi, shkruan arbresh.info.

Në këtë rast, Enver Hasani së bashku me Hakif Veliun dhe Albert Rakipin akuzohen për mashtrim në detyrë në lidhje me përkthimet e disa teksteve universitare nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.

Hasani dhe dy të tjerët akuzohen se si persona zyrtarë kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Të pandehurit akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake, kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Sipas aktakuzës  ky ndryshim i  çmimit ka mundësuar përfitim më të madh  në favor të  Institutit për Studime Ndërkombëtare./arbresh.info/

22375240_1647232675289342_1543597118_o 22404258_1647232678622675_225560978_o

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme