Maqedonia ka hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale, para zgjedhjeve lokale të së dielës më 15 tetor. Për dallim nga pjesa e parë e cila u karakterizua me fushatë kryesisht të qetë dhe pa incidente, pjesa e dytë e fushatës është përcjell me rritje tensionesh.
Një kandidat i pavarur për këshilltar është vrarë në Kërçovë, por vrasja thuhet të mos ketë pasur lidhje me politikën. Një tjetër kandidat për kryetar komune është kërcënuar me vdekje, ndërsa një i tretë është rrahur brutalisht nga aktivist të partisë kundërshtare. Gjatë kësaj periudhe janë demoluar të paktën dhjetë shtabe partiake.
Ministria e Brendshme ka konfirmuar të gjitha këto incidente dhe ka njoftuar se është duke punuar për zbardhjen e plotë të tyre.
“Pavarësisht se kush nga cila parti vjen, apo se simpatizantë i cilës partitë është, në raste të këtillë MPB-ja prioritet kryesor do të këtë respektimin e ligjit, i cili duhet të vlejë njësoj për të gjithë. Çdo përpjekje që të fshihet pas policisë se është e ‘jona’ apo e ‘atyre’ do të merr përgjigjen e merituar ligjore”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Nga MPB-ja thonë se procesi zgjedhor i dedikohet prezantimit të kandidatëve dhe programeve të tyre para elektoratit, si mënyra e vetme që qytetarët të njoftohem me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, andaj edhe do të veprojë me të gjitha forcat për respektimin e kësaj vlere të demokracisë.
Parregullsitë në fazën e tyre të fushatës elektorale janë evidentuar edhe nga “MOST”, organizata më e madhe joqeveritare për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
“Jemi dëshmitar të demolimit të dhjetë shtabeve zgjedhore të katër partive më të mëdha politike, si dhe të dëmtimit të materialit zgjedhor në gjashtë komuna të tjera. Për dallim nga pjesa e parë, tani janë regjistruar edhe incidente tjera me pasojë lëndimin e aktivistëve partiakë. Gjithashtu kemi regjistruar edhe raste të keqpërdorimit të resurseve shtetërore nga kandidatët për kryetarë të komunave”, thuhet në njoftimin e asociacionit qytetar “MOST”, e cila i bënë thirrje partive që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mundësojnë një fushatë elektorale demokratike.
Njohësit e çështjeve politike thonë se partitë duhet të përmbahen nga aktet e dhunës, pasi zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në presione të mëdha të krizës politike dhe kërcënimeve nga më të ndryshmet, dëshmuan se vullnetin e popullit nuk mund ta ndalë askush.
“Nëse analizohet e tërë fushata elektorale dhe nëse i bëhet një krahasim me atë të viteve të kaluara, tani kemi një situatë që më të mirë sa i përket kodeksit etik të përgjithshëm. Kemi situata kur votuesi tani e ka kuptuar se nuk është ai që shkakton incidentet, por këtë bëjnë partitë politike të cilët të nxisin dhunë dhe në anën tjetër të heshtin. Fushata elektorale në publik apo sipërfaqësisht duket e qetë, por në brendinë e saj ka tensione apo tendenca për të pasur dhunë apo për të pasur incidente edhe më të mëdha”, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale dhe njohës i çështjeve politike.
Zgjedhjet e 15 tetorit shihen si testi kryesor për partitë kryesore politike, para se gjithash ato maqedonase të cilat në zgjedhjet e 11 dhjetorit dolën me një rezultat thuajse të barabartë. Me interes pritet rezultati edhe tek partitë shqiptare pas daljes së partive të reja, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat së bashku me LSDM-së përgjysmuan votat e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Fushata elektorale në Maqedoni zgjat 20 ditë, ndërsa më 15 tetor zgjidhen kryetarët e 80 komunave dhe të Shkupit që është njësi e veçantë të pushtetit lokal.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?