“Presidenti nuk preokupohet kush rri e kush del nga salla”

19:18 | 9 Tetor 2017
M. A.

Bekim Çollaku, Shefi i stafit të Presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj largimit të Ambasadorit të Britanisë së Madhe Ruari O’Connell nga konferenca e sotme ku është diskutuar për Gjykatën Speciale.

Në një prononcim për Gazetën Express, Çollaku ka bërë me dije se Presidenti Thaçi nuk është shqetësuar për largimin e Ambasadorit britanik nga konferenca.

Amabasada britanike në një përgjigje ka thënë se O’Connell është larguar urgjentisht nga konferenca, pa e thënë se kjo ka pasur të bëjë me qëndrimin e Thaçit, por i ka kundërshtuar deklaratat e Thaçit që i ka bërë sot.

“Kosovës nuk i janë bërë premtime lidhur me Gjykatën Speciale dhe nuk është e drejtë të pretendohet e kundërta. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bazohet në kriteret specifike të anëtarësimit të organizatave individuale” thekson Ambasada britanike

“Gjykata Speciale ishte përgjigjja e Kosovës ndaj supozimeve të Raportit të Martyt. Ishte një hap i rëndësishëm për të treguar gatishmërinë e Kosovës për të zbuluar të vërtetën për atë që ndodhi gjatë konfliktit”, thuhet më tej.

Por, në reagimin e Bekim Çollakut, këshilltarit të Presidentit Thaçi, thuhet se shefi i shtetit nuk preokupohet se kush largohet e kush jo.

“Gjëja e fundit për të cilën preokupohet Presidenti është se kush rri dhe kush largohet në konferenca të kësaj natyre. Ajo çfarë i intereson Presidentit është që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të informuar dhe ta dinë të vërtetën për të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe të vërteten e hidhur për Gjykatën Speciale. Pavarësisht këtij veprimi Republika e Kosovës do të vazhdojë t’i afirmoje marrëdhëniet e shkëlqyera me Britaninë e Madhe”, ka thënë Çollaku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme