Abrashi viziton Kodrën e Trimave, tregon planin e tij për këtë lagje

16:52 | 9 Tetor 2017
Arbresh.info

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi, ka thënë të hënën se Shpend Ahmeti gjatë mandatit të tij katërvjeçar nuk ka investuar asnjë euro në “Kodrën e Trimave”, ndërsa tani po e viziton këtë lagje dhe po kërkon vota.

“Kodra e Trimave ka qenë dhe mbetet bastion i LDK-së dhe kjo po faktohet në të gjitha tubimet që Dega jonë në këtë lagje ka organizuar. Ata që asnjëherë nuk kanë vizituar varrin e Presidentit Historik Ibrahim Rugova nuk mund ta marrin përkrahjen në bastionin e Rugovizmit në Prishtinë”, ka thënë Abrashi.

Ai potencoi se Plani i tij për “Kodrën e Trimave” parasheh ndërtimin e një shkolle, kopshtin e fëmijëve, dy parqe rekreative-sportive dhe çka është më e rëndësishmja do ta bëjmë këtë lagje me Plan Rregullativ.

Abrashi tha se kjo lagje do të përfitojë edhe nga projektet e përgjithshme për Prishtinën, siç është Fondi i Punësimit, i cili në vitin e parë do të jetë 12 milionë euro për të përkrahur me grante iniciativat e të rinjve që të gjejnë punë ose do të subvencionohet pagat e tyre për një vit.

Projektet tjera në nivel të Prishtinës që do të përfitojë edhe “Kodra e Trimave”, sipas Abrashit janë edhe mbjellja e 10 mijë drunjve në vit, trafiku urban, ndërtimi i parkingjeve të reja, përmirësimi i sistemit të kanalizimit, investime në ndriçim etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme