Vrasja e pronarit shqiptar në Greqi, dalin pistat e para

09:35 | 9 Tetor 2017
L G

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dielës, rreth orës 04.30 me orën lokale, jashtë lokalit të njohur të natës “Joy Bar”, në kryqëzimin e rrugëve “Metaksa 48” dhe “Simvulio” (në kryqëzimin e Pandorës).

Gjithçka nisi kur dy persona të maskuar, për të cilët dyshohet të jenë shqiptarë, kanë shkuar në këmbë dhe menjëherë, të ndodhur jashtë lokalit, kanë hapur zjarr duke qëlluar në kraharor një nga bashkëpronarët e “Joy Bar”, shqiptarin 37-vjeç, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

I riu shqiptar mori plumba në gjoks dhe edhe pse ndihma e parë i është dhënë në moment, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Mësohet se viktima është një nga aksionarët e “Joy Bar”, gjë që krijon dyshime për larje hesapesh.

Në momentin e atentatit, bashkëpronari i lokalit ndodhej i ulur në ambientet e jashtme, bashkë me një shqiptar tjetër, i cili mbeti i plagosur.

“Viktima, që ishte dhe bashkëpronar i lokalit, ka marrë plagë të rënda në kraharor dhe si pasojë ka ndërruar jetë gjatë dërgimit në spital. Personat me maskë kanë shtënë dhe kundër një tjetër shtetasi shqiptar, i cili është plagosur. Si rezultat i plumbave rikoshetë, janë plagosur dhe dy prej klientëve grekë të barit.

Menjëherë pas kësaj, atentatorët, që vlerësohet se janë gjithashtu shtetas shqiptarë, janë larguar, ndërsa klientët kanë njoftuar policinë që ka mbërritur menjëherë”, shkruanin dje mediat greke. Sipas agjencive helene të lajmeve, që i referohen burimeve të Policisë vendase, mësohet se të plagosur kanë mbetur edhe dy shtetas grekë, 28 dhe 43 vjeç, të cilët po hynin në lokal në momentin kur ndodhën të shtënat.

Viktima dhe të plagosurit u transportuan drejt spitalit të “Asklipio Voulas”, ndërkohë që në vendngjarje mbërriti policia greke. Kjo e fundit sekuestroi në vendngjarje 3 gëzhoja si dhe kamerat e sigurisë të “Joy Bar”, ku materiali i siguruar prej tyre pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen e ndodhur, që tronditi kryeqytetin Helen mëngjesin e së dielës.

Sipas mediave greke, shqiptari 37-vjeçar rezulton person me precedentë penalë në fushën e trafikut të drogës, ndërkohë që hetimet janë përqendruar në pistën e larjes së hesapeve. /Panorama/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme