Titujt mediatikë të një Shqipërie të mbushur me kanabis i kanë bërë shumë të huajt të besojnë se pak gramë mund të kalohen në kufi apo mbahen me vete, por mjaft prej tyre përfundojnë në qeli për muaj me rradhë, ndërsa rrezikojnë dënime deri në 5 vjet burg.
Miso V. u ndalua nga policia e Kakavijës në orën 6.30 të mëngjesit. Ai me 6 shokë po udhëtonin nga Podgorica në një festival tatuazhi në Greqi, por kur policia kufitare kontrolloi makinën në gomën rezervë u gjetën 34 gramë marijuanë.
Duke menduar me gjasë që sasia nuk ishte e madhe dhe se as dënimi nuk do ishte i tillë, Miso pranoi siç rezulton edhe në vendimin e gjykatës së 12 shtatorit para policisë dhe më pas në gjykatë se ishte ai që e kishte blerë kanabisin nga një shkodran për 20 euro dhe e kishte vendosur në gomën rezervë të makinës së marrë me qira. Por testet e tij të drogës dolën negative. Sipas të njëjtit vendim ai nuk ishte përdorues ose të paktën jo përdorues i rregullt dhe fati i tij ishte tërësisht në dorë të trupës gjykuese, e cila kishte hapësirë ligjore ta dënonte 30-vjeçarin minimalisht me pesë vjet burg.
Për fatin e mirë, punonjësi i kompanisë së sigurimeve në Podgoricë, nuk iu duk i rrezikshëm trupit gjykues. Ata e dënuan sidoqoftë me 5 vjet burg, sa është edhe minimumi, që u ul në tre vjet e katër muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe vendosën ta pezullonin dënimin për 2 vjet për shkak të parrezikshmërisë, me kusht që Miso të paraqitet herë pas here në policinë lokale.
Për ironi Miso dhe 6 të rinjtë u arrestuan në të njëjtën ditë kur sipas gazetës malazase “Vijesti” dy shqiptarë u arrestuan në Ulqin me 1.5 ton kanabis. Me gjasë prania kaq e madhe e kanabisit në Shqipëri ka krijuar iluzionin se sasitë e vogla mund të mos jenë problem ligjor. Por ligji shqiptar nuk bën diferencë të madhe mes atyre që kapen me disa dhjetra gramë dhe atyre që ndalohen me kilogramë, apo edhe me sasi më të mëdha. Madje shpesh policia dhe drejtësia shqiptare akuzohen se dënojnë më fort ata që kapen me sasi të vogla.
Vetëm tre ditë më parë ambasadori i SHBA Donald Lu përmendi gjatë një fjalimi të ashpër në shkollën e magjistraturës se ndonëse në vitin 2016 u bënë 1349 arrestime për krime të trafikimit të drogës, vetëm 100 nga këto raste u pasuan me dënime në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe mes tyre nuk gjendej asnjë personazh i ashtuquajtur si “peshk i madh”.
Ndërkohë si Miso, të paktën 15 persona shumica e të cilëve të huaj janë arrestuar gjatë këtij viti në Kakavijë për posedim të sasive nga 1 deri në disa dhjetra gramë. Një oficer i policisë i tha BIRN se në një rast një shtetas francez e kishte vetëdeklaruar 3.5 gramë kanabis, i painformuar me gjasë se përtej famës si vendi me kultivimin më të madh të narkotikut në Europë, Shqipëria ka dënime të ashpra penale edhe për poseduesit. Ndërkohë që sipas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë edhe limiti i drogës me të cilin cilësohesh konsumatorë caktohet vetëm pasi ke qëndruar disa kohë në qeli në pritje të ekspertizës që të nxjerrë ose jo përdorues dhe që përcakton edhe se sa e fortë është droga.
Për Mison kjo zgjati 1 muaj, ndërsa derisa gjykata vendosi lirimin e tij të menjëhershëm në 12 shtator të këtij viti malazezi kishte bërë 5 muaj në qelitë e paraburgimit të burgut të sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës, bashkë me trafikantë të vërtetë të drogës.
Zëdhënësja e Policisë së Gjirokastrës Oltiana Nano tha se edhe rreth 15 raste të tjera në nivel qarku që janë evidentuar jo në kufi, por në grupe kryesisht të rinjsh në tre rrethet e Qarkut Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. “Personat që janë kapur me 3 gramë apo 5 gramë marijuanë janë proceduar për mbajtje të lëndëve narkotike (posedim), ndërsa ka pasur raste kur persona me mbi 200 gramë janë proceduar për trafik narkotikësh”, tha zonja Nano.
Edhe në pikat e tjera kufitare shqiptare me vendet fqinje raportimet e policisë shqiptare flasin për raste të shumta të bllokimit të shtetasve, kryesisht të huaj, gjatë këtij viti me sasi të vogla narkotike. Sipas policisë së Korçës nga muaji maj deri në shtator janë arrestuar dhe proceduar 38 shtetas të huaj që kanë tentuar të nxjerrin jashtë Shqipërisë marijuanë, në sasi të ndryshme, nga të cilat 21 raste përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, në kufi me Maqedoninë. Raportimet e Policisë së Korçës flasin se në 21 rastet e zbulimit në kufi në Qafë -Thanë, kanë qenë të përfshirë shtetas polakë, çekë, gjermanë dhe rumunë.
Ndërkohë Kodi Penal aktual shqiptar parashikon dënime të ashpra pavarësisht sasive të vogla të narkotikëve. Nëse një person kapet me disa gramë marijuanë dënohet me pesë deri në dhjetë vjet burgim. Dhe kjo është si kur i gjenden disa gramë edhe kur kapet me 1 kg marijuanë apo me 1 ton marijuanë. “Ne kemi në Kodin penal vetëm një dispozitë, Nenin 283 që i përfshin këto vepra”, thotë Piro Boboli, një avokat në Gjirokastër, ndërkohë që sipas tij legjislacioni i vendeve të BE-së i ka të mirëspecifikuara dispozitat për drogën dhe vendi fqinj Greqia madje ka një ligj të posaçëm. Zoti Boboli thotë se Kodi Penal shqiptar nuk e përcakton sasinë për përdorim vetjak të marijuanës ndryshe nga shumë vende të tjera.
“Problematika e caktimit të masës së dënimit për trafikimin e lëndëve narkotike në bazë të sasisë dhe llojit të lëndës së trafikuar është e njohur prej vitesh në Shqipëri”, thotë zoti Boboli. Zoti Boboli thotë se “në mungesë të përcaktimit të ligjvënësit se çfarë konsiderohet dozë e vogël, Gjykata e Lartë me vendimin unifikues nr.1/2008 ka interpretuar këtë parashikim në kuptimin që në aspektin sasior lënda narkotike dhe psikotrope duhet të jetë në atë masë sa të konsiderohet realisht e vogël për përdorim vetjak nga ana e individit konkret.
Po ashtu, Gjykata e Lartë ka theksuar se përcaktimi i dozës së vogël duhet të bëhet me ndihmën e specialistëve të fushës dhe rast pas rasti. “Ka pasur reagime të shumta për këtë, por ende nuk janë bërë përmirësime në ligj”, thotë avokati.
Fakti që përveç të huajve një numër i konsiderueshëm i atyre që ndalohen me sasi të vogla janë të mitur që marrin dënime të ngjashme me trafikantët, ka bërë që Ministria e Drejtësisë të përgatisë një draft për përmirësimin e ligjit duke sugjeruar që kjo vepër penale të dënohet sipas gramaturës me të cilën kapet personi.
Loreta Mamani, pedagoge në Universitetin e Gjirokastrës që ka asituar shumë të mitur në procese gjyqësore thotë se përfshirja e të miturve ishte mjaft e përhapur në këtë qark sidomos kur marijuana kultivohej masivisht në Lazarat. “Të mitur me sasi të vogla kapeshin nga policia apo denoncoheshin nga vetë prindërit e tyre duke rrezikuar nga pesë deri në 10 vite burgim”, thotë Mamani. Sipas saj tani numri i çështjeve ka rënë dhe fillimin e vitit që vjen pritet të ndryshojnë edhe politikat penale ndaj të miturve.
Kështu drafti i ri parashikon 23 masa dënimi, nga 7 që janë parashikuar në Kodin Penal në fuqi, duke diferencuar një sërë veprash nga prodhimi, shitja, mbajtja, ofrimin për shitje, dhënien ose marrjen në çdo formë, shpërndarjen, tregtimin, transportimin, dërgimin, dorëzimin e substancave narkotike, psikotrope, ose i farërave të bimëve narkotike.
Drafti i ri po ashtu e zbut dënimin për posedimin e sasive deri në 100 gramë me deri 5 vjet burg për kanabisin.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën