Google ADS

Kryeministri Haradinaj i priti edhe zjarrfikësit

15:33 | 7 Tetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot Sindikatën e Zjarrfikësve të Kosovës, të udhëhequr nga Muharrem Bejta, të cilët kërkuan ndihmë nga kryeministri i vendit për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata ballafaqohen si një nga shërbimet emergjente në vend.

Kryeministri Haradinaj u tha sindikalistëve të zjarrfikësve se Qeveria që ai e udhëheq po përpiqet që t’i kuptojë dhe të përballet me të gjitha temat në vend, pra edhe të kuptohet situata e zjarrfikësve.

“Mos përtoni, ato që vlerësoni që janë me rëndësi që t’i dimë ne dhe që mendoni që janë detyrat tona, po ashtu të na i vini në dukje”, u tha zjarrfikësve Kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Muharrem Bejta i renditi kërkesat sindikale, me shpresë që, siç u shpreh ai, kryeministri t’u dalë në ndihmë.

“Prej vitit 2008 jemi në një gjendje që është shumë e paqartë, në të gjitha aspektet pra edhe në atë ligjor, teknik dhe financiar. Të gjitha kërkesat tona kanë mbetur vetëm në letër. Kemi organizuar edhe protesta, por askush nuk është marrë me ne…”, ka thënë Bejta.

Ai ka renditur kërkesat e zjarrfikësve kosovarë si: të definohet statusi ligjor, të qartësohet nëse me zjarrfikësit menaxhon Qeveria qendrore ose komunat; të rritet buxheti për pajisjet teknike, sepse zjarrfikësit janë të rrezikuar më shumë nga pajisjet që i kanë, se sa nga zjarret; të pranohet puna jashtë orarit; të shqyrtohet mundësia e rritjes së pagave dhe të shqyrtohet mundësia e “pensionit të beneficuar”.

Kryeministri Haradinaj u zotua se do të qartësohet shpejt situata se cilat janë marrëdhëniet e zjarrfikësve me komunën dhe cilat janë të nivelit kombëtar dhe në këtë aspekt të dihet se cilën të drejtë duhet ta kërkojnë zjarrfikësit nga komuna dhe cilën nga Qeveria.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme