Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë, në kuadër të së cilës për herë të parë në Kosovë do të mbahet Parada e Krenarisë.
Haradinaj me këtë rast shprehu edhe njëherë zotimin e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e këtij komuniteti. Kryeministri tha se organizimi i Paradës së Krenarisë për herë të parë, tregon përkushtimin që ka Kosova për të respektuar të drejtat e komunitetit LGBTI .
“Kjo do të thotë shumë edhe për vetë specifikat që i ka vendi ynë, shoqëria jonë, por kjo e vërteton edhe një guxim tonin, edhe qytetar, edhe shoqëror por edhe institucional, që atë që ne e kemi deklaruar me Kushtetutë, se ne do t’i respektojmë të drejtat e të gjithëve pa dallim, dhe të gjitha liritë njerëzore janë të respektuara. Kosova është e gatshme të respektoj të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë, dhe njëkohësisht të mundësoj një barazi dhe liri njerëzore, liri të zgjedhjes, në bazë të përcaktimit të secilit dhe secilës” ka thënë kryeministri Haradinaj.
Përfaqësuesi i Organizatave Joqeveritare të cilat merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI, Agim Margilaj, ka përmendur legjislacionin e mirë që ka Kosova në këtë fushë.
“Gjatë shumë viteve kemi punuar fuqishëm dhe me ngulm për të avancuar të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë, si të drejta themelore që janë të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në Kosovë. Konsiderojmë se Republika e Kosovës ka një legjislacion ndër më të avancuarit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një legjislacion që është në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian” tha ai.
Margilaj ka përmendur Planin Kombëtar të Veprimit për të drejtat e Komunitetit LGBTI, e hartuar nga Grupi i Këshillëdhënës dhe Koordinues për të Drejtat e Grupit LGBTI, si njërën prej praktikave të veçanta, që nuk ekziston në vendet tjera të rajonit.
Parada e Krenarisë, me moton “Në emër të dashurisë”, do të organizohet të martën më 10 tetor.
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç