Pozita diskriminuese e shqiptarëve në Serbi, nuk mund të krahasohet në asnjë rrethanë me pozitën e serbëve të Kosovës. Kështu ka thënë në një deklaratë për media kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i cili ka kritikuar qeverinë serbe për vendosjen e “organeve të dhunshme” në Luginë të Preshevës
Sipas tij, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës kishte deklaruar se inkuadrimi i tyre në Qeverinë Haradinaj është bërë me qëllim që t’u sigurojë serbëve një jetë më të mirë. “Menjëherë më tutje vazhdon dhe tregon se është i lumtur që shqiptarët nuk arritën të zgjedhin përfaqësuesit politik të Serbëve”, ka thënë Halimi.
Ai është shprehur se nuk dëshiron të krahasoj pozitën politiko – juridike të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi. “Sepse pozita diskriminuese e shqiptarëve në Serbi, të cilët nuk po arrijnë t’i realizojnë as të drejtat elementare të parapara me Kushtetutë dhe ligjet aktuale në Serbi, nuk mundet kurrsesi të krahasohet me pozitën e Serbëve të Kosovës, të drejtat e të cilëve në bazë të Kushtetutës së Kosovës janë shembull unik dhe arrijnë nivelet më të larta që nuk i ka asnjë bashkësi nacionale në cilindo shtet të botës”, ka thënë Halimi.
Ai ka shtuar se të dy qëllimet që i thekson Rakiq në deklaratën e tij, janë kërkesa politike krejtësisht legjitime dhe nuk ka pasur edhe gjerë më tani asnjë problem që ato të realizohen në Kosovë. “Mirëpo, është paradoks i llojit të vet që në të njejtën kohë këto të drejta elementare politike po i mohohen shqiptarëve në Serbi”, shprehet Halimi.
Ai ka thënë se gjatë regjimit të Millosheviqit deputetët shqiptarë të vetmin qëllim e kishin aktualizimin e çështjes shqiptare në Luginë të Preshevës. “Mirëpo nga viti 2007 deputetët që u zgjodhën me anë të listave zgjedhore të koalicioneve të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, apo vetëm me listën zgjedhore të Partisë për Veprim Demokratik kishin paraqitur rregullisht si objektiv themelorë kërkesën për një jetë më të mirë të Shqiptarëve në Serbi. Pikërisht për këtë arsye deputeti i Luginës së Preshevës në mars të vitit 2009 kishte nënshkruar, së bashku me ministrin e pushtetit lokal dhe ambasadorin e OSBE – së, Marrëveshjen për parimet e riorganizimit të Trupit Koordinues të Qeverisë serbe me qëllim të pjesëmarrjes substanciale të shqiptarëve në këtë organ të Qeverisë serbe”.
Por, sipas Halimit, kjo Marrëveshje që ishte miratuar edhe me vendim të Qeverisë serbe ngeli e parealizuar sepse mungoi vullneti i mirë politik në udhëheqjen shtetërore të Serbisë. Qeveria serbe gjithashtu nuk e realizoi as Programin 7 pikësh që e kishte aprovuar në vitin 2013 në bazë të propozimit të përfaqësuesve legjitim të Shqiptarëve.
“Derisa serbët në Kosovë në bazë të dokumenteve të Ahtisarit përveç 10 mandateve të garantuara në Kuvendin e Kosovës e kanë të garantuar edhe pjesëmarrjen substanciale në Qeverinë e Kosovës, e që aktualisht është e realizuar me një zëvendës kryeministër dhe me udhëheqje të 3 ministrive shumë të rëndësishme, në anën tjetër shqiptarët në Serbi janë plotësisht të margjinalizuar ashtu që edhe Trupin Koordinues të Qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, rajon me rreth 66 % Shqiptarë, e udhëheqin vetëm serbët nga Beogradi”.
Sipas Halimit, këtë margjinalizim drastik të shqiptarëve madje edhe në një organ nën qeveritarë, që ka vetëm karakter koordinues po e vazhdon edhe udhëheqja aktuale më e lartë shtetërore edhe atë në kushte kur deputeti shqiptar për të krijuar atmosferë bashkëpunimi në vitin e fundit kishte përkrahur shumicën aktuale parlamentare në Kuvendin e Serbisë.
“Trajtimi anticivilizues i shqiptarëve nga ana e strukturave shtetërore në formën më të vrazhdë u reflektua me shkarkimin e Kuvendit të Preshevës dhe emërimin e organit të përkohshëm, me ç’rast Qeveria serbe nuk e përfilli as Kushtetutën as Ligjin për pushtet lokal. Me metodat më drastike diskriminuese pas injorimeve flagrante të deputetëve Shqiptarë, Qeveria serbe në formën më të vrazhdë zhvlerësoi vullnetin politik të shumicës absolute të votuesve Shqiptarë të cilët në Kuvendin e Preshevës i kishin 27 nga gjithsejt 38 këshilltarë (71.1%). Me metoda tipike autokrate duke përdorur modelin e njohur të regjimit të Millosheviqit të “Shqiptarëve të ndershëm”, Qeveria serbe i mveshi me pushtet absolut kryetarin dhe nënkryetarin e Alternativës për Ndryshim, që kishte vetëm 11 këshilltarë në Kuvendin komunal si dhe kryetarin e degës së Partisë Përparimtare Serbe, që nuk kishte asnjë këshilltarë në këtë Kuvend”, thuhet në reagimin e Halimit.
Në këtë mënyrë, ai ka thënë se kjo treshe e instaluar do ta udhëheq komunën e Preshevës gjer në zgjedhjet e parakohshme, të cilat nuk dihet se kur do të mbahen, në rradhët e veta nuk ka asnjë kuadër me përgaditje univerzitare.
Sipas Halimit, është e qartë se kjo është vazhdimësi e modelit të dështuar të regjimit të Millosheviqit që dëshmohet më së miri nga deklaratat e kryetarit të Serbisë, i cili më 25 prill 2017 sa ishte kryeministër i Serbisë, pas shkarkimit të Shqiprim Arifit nga funksioni i kryetarit të komunës (10 mars 2017) menjëherë pas kritikave të ashpra drejtuar kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Kosovës, kishte kritikuar UE – në se po i nënçmon zhvillimet në pushtetin lokal të Preshevës, ku sipas tij “janë ndrruar njerëzit e mirë të cilët kanë bashkëpunuar me pushtetin”, raporton RTK.
“Por është edhe më absurd fakti se sipas kryeministrit serb kryetari i Preshevës ishte ndrruar në bazë të porosive politike nga ndonjë anë tjetër, që lexohet nga Prishtina apo Tirana”, ka reaguar Halimi.
Sipas tij, shihet qartë se skenarin e 14 shtatorit për masat e përkohshme që në realitet janë masa të dhunshme për Preshevën u paralajmëruan qysh më 25 prill me deklaratat e theksuara. “Pra, në të njejtën kohë kur Rakiqi i Listës Serbe me të drejtë krenohet se serbët në Kosovë vet i zgjodhën përfaqësuesit e tyre, në Serbi po zbatohen modelet e njohura të vjetra por në paketim të ri, sipas të cilave Shqiptarët nuk kanë pse të lodhen për përfaqësues të tyre legjitim sepse Qeveria serbe është duke u përkujdesur për ta duke instaluar ‘shqiptarë të mirë’, me të cilët ata mund të bashkëpunojnë”, ka thënë Halimi.
Vetaksident në Duhël, kamioneta përfundon jashtë rrugës
Inter synon goditjen e madhe – transferimin e yllit të Liver...
Rovena-Edit: Të është zbuluar loja
NYT: Biden lejon Ukrainën të godasë Rusinë me raketa amerika...
Lushaku i reagon Kurtit: Po mundohet të shfajësohet për përm...
Gjesti dhe Xheneta vazhdojnë diskutimet ndërmjet tyre