Shkruar nga: Blerim Shala
Fushata zgjedhore, është fokusuar në ambicjet e mëdha të garuesve për kryetar komunash, të cilat nuk janë realiste, sepse raporti i këtyre ambicjeve me buxhetet komunale është së paku tre me një.
Për dallim prej zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të cilat vazhdueshëm po e ruajnë veçorinë e votimeve të jashtëzakonshme, (që prej pavarësimit e këndej), zgjedhjet për pushtetin lokal kanë bërë një traditë të mirë të votimeve të rregullta. Mbase, kjo është në radhë të parë pasojë e vetë kornizës legale për mbajtjen e tyre, që parasheh votime të parakohshme për Kryetarin e komunës, vetëm në rast të dorëheqjes apo shkarkimit të Njëshit të një komune, ndërsa këtu, rënia e pushtetit lokal është shumë më e vështirë se sa ajo e pushtetit qendror.
Sidoqoftë, falti që përherë kemi zgjedhje me afat për qeverisjen lokale, nënkupton edhe ballafaqimin me një fushatë të plotë tridhjetë ditëshe, në krahasim me atë pakditëshe për pushtetin qendror.
Të thuash asgjë nuk ka ndryshuar në këtë kontekst, nëse synojmë të analizojmë fushatën e deritashme për pushtetin komunal, që prej vitit 2009-të e tutje, apo, që prej se në shtetin e Kosovës mbahen zgjedhjet në këtë nivel. Është e vërtetë që në vitin 2009, ndodhi ndryshimi substancial i vet përmbajtjes së tyre, në krahasim me ato votimet para se Kosova të bëhej shtet i pavarur. Në vitet e UNMIK-ut, edhe pretendentët për postet e kryetarëve dhe të asambleistëve në komuna, në fushatë flisnin për statusin e pazgjidhur të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e vendit, për historinë e ndritshme kombëtare, duke menduar që kjo ishte mënyra më e mirë për t’i bërë për vete votuesit. Në tri palë zgjedhjet e pas-pavarësisë, gjërat kanë ndryshuar, së paku në këtë aspekt. Siç po shihet zatën edhe në fushatën për zgjedhjet e 22 tetorit, veçmas garuesit për pozitën e Kryetarit të komunës, kanë qenë goxha të suksesshëm në përgatitjen për ballafaqimet televizive, së paku në këtë dimensionin e hulumtimit në ‘terren’ (në komunat ku garojnë), të mungesave dhe nevojave të qytetarëve që jetojnë në një komunë. Rëndom, këto janë ende mungesa infrastrukturore (rrugë, ujësjellës, kanalizim), të cilat nuk do të duhej më të paraqiteshin si tema debatesh elektorale, sikur të kryheshin si duhet ‘detyrat e shtëpisë’ në Kosovë. Pastaj, aspirantët për kryetar të komunave, synojnë të bëjnë për vete shtresa të veçanta të popullsisë në lokalitete, shkojnë si po thuhet, ‘derë më derë’, për të biseduar me qytetarët e rëndomtë, ecin shesheve dhe rrugëve kryesore, hyjnë në shitore, ushqehen aty ku edhe shumë banorë të atyre qyteteve, për të treguar thjeshtësinë e tyre si politikanë dhe afërsinë me qytetarët e zakonshëm. S’do mend që kemi mësuar goxha shumë edhe nga përvoja e jonë, por edhe nga mënyra se si funksionon demokracia në Botë, edhe në këtë segmentin e pushtetit lokal.
Sidoqoftë, thuaja në të gjitha rastet kur politikanët kosovarë ia kanë mësyer postit të kryetarit të komunës, plani i tyre qeverisës, në rast të fitores në zgjedhje, gati kryekëput është rezultat i Listës së dëshirave të qytetarëve të një komune, sepse supozohet që kjo është rruga më e shkurtër për t’i bërë për vete votuesit e kësaj komune.
Por, siç edhe mund të mirret me mend, ka një dallim të madh midis Listës së dëshirave, Planit qeverisës që përgatitet prej kandidatëve për kryetar të komunës dhe mundësive reale, para se të gjithash, buxhetore, për t’i përmbshur synimet e vetë qytetarëve dhe të atyre që duhet t’i prijnë një komune. Këtu dikush mund të shtojë menjëherë që puna e buxhetit komunal varet edhe nga grantet qeveritare, ndërsa dikush tjetër, do të thotë që ka raste kur në një komunë as që arrihet të shpenzohet buxheti njëvjeçar.
Megjithatë, fushata e deritashme zgjedhore (kështu ka qenë edhe në të kaluarën), në masë të madhe është përqëndruar në ambicjet e mëdha të pretendentëve për kryetar komunash, të cilat nuk janë realiste, sepse objektivisht, raporti i këtyre ambicjeve me buxhetet ekzistuese komunale është së paku tre me një (ose edhe më shumë). Por, deri më tash së paku, nuk kemi qenë edhe dëshmitarë të shpeshtë kur dështimi në realizimin e premtimeve parazgjedhore, në këtë nivelin lokal, ka rezultuar me një ndëshkim të kryetarëve të komunave në detyrë. Para katër viteve, ndodhi një ndryshim i madh i kryetarëve ekzistues të komunave, mbi të gjitha, si pasojë e ngopjes me figurat që kishin udhëhequr gjashtë vjet me to, dhe si synim për t’i dhënë rast fytyrave të reja. Natyrisht, do të ishte mirë nëse tash e tutje, vullnetin i votuesve do të ishte reflektim i një qëndrimi që përkon mbi të gjitha me qeverisjen lokale, dhe me gjasat reale për ta përmirësuar shumë atë, në të ardhmen.
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...