Google ADS

Grupi anti-Basha kërkon zgjedhje të tjera për kryetarin e PD-së

10:01 | 5 Tetor 2017
Arbresh.info

Një ditë pas prezantimit të platformës për ringritjen e Partisë Demokratike, ish-deputetët Astrit Patozi dhe Ridvan Bode kanë zhvilluar një takim informal me gazetarët lidhur me zhvillimet e pritshme në selinë blu. Ish-deputeti Astrit Patozi është shprehur se platforma e paraqitur rrëzon idenë e fraksioneve në Partinë Demokratike por nisjen e punës me qëllim rikthimin e PD-së në shinat e frymës demokratizuese në të gjitha forumet dhe nivelet drejtuese të saj.

Ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për organizim juridik por për një lëvizje brenda PD-së, e cila kërkon zgjedhje të reja në parti, duke nisur që nga posti i kryetarit. Lëvizja anti-Basha i konsideron zgjedhjet e 22 qershorit farsë dhe për këtë arsye kërkojnë rizgjedhjen e kryetarit. “Një grup drejtuesish të PD-së, anëtarë kryesie e të Këshillit Kombëtar, ish-drejtues i janë drejtuar anëtarësisë për një proces që synon unifikimin e partisë, për një proces zgjedhor të përgjithshëm.

Bashkimi i PD-së përmes një procesi zgjedhor është qëllimi ynë. Të kërkohet ndjesë publike, të mundësohet hapja e një debati për kapërcimin e problemit që ka lidershipi i cili vuan nga mungesa e kredibilitetit. Nuk kemi organizim juridik por lëvizje brenda PD-së. Do i drejtohemi dhe zyrtarisht partisë por tashmë kërkesa është publike. Do takojmë demokratët anembanë Shqipërisë. Do jetë një platformë që do ta diskutojmë me gjithë anëtarësinë”, tha ai. Por ajo që bie në sy, dhe që nismëtarët e lëvizjes e pranojnë, është heqja dorë nga kërkesa për fraksion.

“Qëllimi i lëvizjes nuk është të gjejë konsensus mes nesh e drejtuesve aktual, qëllimi është me i gjerë, bashkimi përmes një analize të thellë dhe të diktuar e më pas të shkohet në zgjedhje ne gjithë nivelet përmes devizës së bashkimit. Nuk kërkojmë ndarje postesh, por pajtim përmes një debati të përgjithshëm dhe analizë dhe zgjedhjeve. Rizgjedhja e kryetarit është kusht i panegociueshëm. Kjo i bën mirë dhe kryetarit për kredibilitetin e tij të bjerrë. Nuk po kërkojmë fraksione dhe as përfaqësim të cilësuar. Duam votime e të drejta të barabarta në votime dhe le të jetë anëtarësia që të vendosë”, tha Bode.

Platforma mbështetet nga disa ish-drejtues dhe deputetë të PD-së si Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Besnik Mustafaj, Ridvan Bode e Julian Deda, por ajo që bie në sy është fakti që mes emrave nuk ndodhet Jozefina Topalli, Eduard Selami, Genc Ruli dhe Arben Imami. Lëvizja për demokratizimin e PD-së synon t’i japë zgjidhje krizës brenda partisë pas largimit të disa figurave të rëndësishme nga lista e kandidatëve për deputetë dhe humbja e thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Platforma do të paraqitet zyrtarisht edhe në organet drejtuese të Partisë Demokratike, e cila nuk ka ende një reagim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme