Google ADS

Hapet edicioni i 15-të i Universitetit Veror të Prishtinës

15:29 | 2 Korrik 2015
Arbresh.info

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu hapi Edicionin e 15-të Universitetit Veror të Prishtinës, i cili tanimë është tradicional jo vetëm për universitetin tonë, por edhe për shtetin e ri të Kosovës, si një ngjarje e veçantë ku shkëmbehen përvoja akademike me profesorë dhe studentë ndërkombëtarë, dhe ku krijohen miqësi e shkëmbehen përvoja jetësore mes të rinjve nga universitete të ndryshme të botës .

Ai me këtë rast theksoi se “Ky eveniment përputhet pikërisht me misionin parësor të Universitetit të Prishtinës, për edukimin e qëndrueshëm dhe cilësor i brezave të rinj, me mundësi të barabarta për të gjithë, në pajtim me vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Përcaktimi i juaj për të ardhur në Universitetin e Prishtinës më bën të ndjehem përgjegjës që të gjithë t’ia dalim së bashku ta përmbyllim me sukses projektin e universitetit veror. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe qëndrim të këndshëm në vendin tonë.”

Këtë vit UVP mbledhë pothuaj 300 studentë nga vendi dhe nga bota, dhe dymbëdhjetë profesorë ndërkombëtarë nga SHBA, Anglia, Franca, Polonia, Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, që do të bashkë-ligjërojnë me po aq profesorë nga vendi. Studentët vijnë nga vendet e rajonit si: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, dhe nga mbarë bota: Anglia, Brazili, Danimarka, Finlanda, Gana, Greqia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumunia, Rusia, Serbia, Spanja, Suedia, dhe Turqia. Ata do të ndjekin kurse nga disiplina të ndryshme që do të trajtojnë tema aktuale si demokratizimi dhe integrimet evropiane, ndërmarrësia dhe zhvillimi ekonomik, financat dhe bankat evropiane, ekonometria, përkthimologjia, e Drejta Ndërkombëtar, politika e jashtme e SHBA-së, jeta në Dardaninë e lashtë, e te tjera, dhe do të përcjellin debate me figura të shquara publike./arbresh.info.

universiteti veror i prishtines

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme