Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se Kosova ka marrë përsipër themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Serbia ka detyrim t’i përmbushë detyrimet nga dialogu në Bruksel.
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se pala kosovare duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të mundësonte integrimin e komunitetit serb. Në anën tjetër Serbia duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje që u nënshkrua me 19 prill të vitit 2013, shkruan DW.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të duhej të themelohej natyrshëm, në përputhje me ligjet kosovare. Fundja, ky hap do të duhej ta mundësonte një integrim më të mirë brenda Kosovës. Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është një obligim ndërkombëtar, të cilin Kosova e ka marrë përsipër për ta zbatuar. Në të njëjtën mënyrë edhe Serbia është e obliguar për t’i përmbushur detyrimet e saj nga dialogu i zhvilluar në Bruksel, siç është për shembull Marrëveshja për Energjinë”, ka thënë për media ambasadori gjerman Christian Heldt.
Për “detyrimin ndërkombëtar” që Kosova ka për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, flet edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiç. Ai thotë se lista “Srpska” e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës, pret që gjatë vitit 2018 të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Ne kërkojmë garanci nga Brukseli si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi dhe insistojmë brenda Qeverisë së Kosovës, ashtu si kemi bërë kur kërkuam që në programin e Qeverisë të përfshihet kjo çështje, përkatësisht që Asociacioni të themelohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel”, ka thënë Dalibor Jevtiç.
Haradinaj: Asocacioni do të formohet në pajtim me kushtetutën e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet, por ai do të jetë në pajtim vetëm me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2015 pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, njëra nga partitë më të mëdha politike opozitare, lëvizja Vetëvendosja, është kategorikisht kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deputeti i kësaj partie, Albin Kurti, tashmë disa herë e ka përsëritur që ai është kundër dialogut me Beogradin, por jo kundër dialogut me serbët e Kosovës.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë i akorduar në Bruksel është projektuar si një Republikë Serbe brenda në Kosovë duke ndjekur shembullin e asaj në Bosnje dhe Hercegovinë. Për ne kjo është e papranueshme dhe këtë nuk do ta lejojmë që të ndodhë”, ka ripërsëritur Albin Kurti.
Kosova dhe Serbia, tash e më shumë se pesë vjet zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Të dy presidentët, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tashmë janë dakorduar që të hyhet në një fazë të re të dialogut Kosovë-Serbi. Ky dakordim u arrit pas një viti qendrimi në vend të dialogut Kosovë-Serbi.
Dialogu është përcjellë nga shkallëzime dhe tensione në skenën politike kosovare
Në një tryezë diskutimi që në fundjavë u zhvillua në Prishtinë nga “Forumi 2015”, në të cilën bëjnë pjesë shumë organizata të shoqërisë civile, u diskutua “e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi në realitetin e ri politik në këto dy vende”. Në këtë forum u konstatua se pas një viti qendrim në vend të procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, elitat politike dhe bashkësia ndërkombëtare duken të vendosura për vazhdimin e këtij dialogu. Mirëpo, siç u tha në forum, deri më tash, ky proces është përcjellë nga shkallëzime dhe tensione në skenën politike kosovare dhe dialogu është kritikuar për mungesë të transparencës dhe mosimplementim të marrëveshjeve të arritura.
Në këtë forum u tha se “nga dialogu Kosovë-Serbi, ka pasur protesta, ka pasur marrëveshje që nuk janë implementuar. Pikërisht për këtë temë duhet të ketë një analizë, duhet të ketë një ide që marrëveshjet e pazbatuara të trajtohen urgjent. Është koha që në Kosovë të ketë më shumë seriozitet se çka mund të pritet nga ky dialog, që është konsideruar jo transparent. Publiku kosovar ka qenë në hije nga ky dialog dhe pikërisht për këtë publiku kosovar tash e tutje duhet të njoftohet vazhdimisht për rrjedhën e dialogut”, thuhet në konstatimet nga diskutimi i “forumit 2015”.
Sidoqoftë, që nga viti 2013 kur Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për përmirësimin e raporteve janë nënshkruar një sërë marrëveshjes, disa nga të cilat tashmë janë implementuar, ndërsa, disa të tjera akoma jo. Është marrëveshja për drejtësinë e cila sipas qeverisë së Kosovës do të fillojë së zbatuari me datën 17 të këtij muaji.
Me zbatimin e kësaj marrëveshjeje është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë. Sipas marrëveshjes për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri të Mitrovicës. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe një sektor i Gjykatës së Apelit. Në bazë të marrëveshjes për drejtësinë, në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...