Arrestohet njeriu i Lul Berishës, Apeli i dha pafajësi në 2008-ën

00:31 | 4 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Dy persona, njëri prej të cilëve pjesë e bandës së Durrësit, u arrestuan mbrëmjen e së martës në qytetin bregdetar, teksa lëviznin të armatosur me një mjet tip “Porche”.

Arrestimet, që u kryen gjatë operacionit “Vjeshtë 2017” për goditjen e grupeve dhe elementëve kriminalë në qytet, vijnë menjëherë pas deklaratës së ambasadorit Lu për bandat që veprojnë në vend dhe kritikat për lirimin e Lul Berishës nga burgu.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit Marjel Fierza 30 vjeç dhe Genti Nderjaku 34 vjeç, të dy banues në Durrës.

Arrestimi qe rezultat i kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, me drejtues Marjel Fierzën, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 2 armë zjarri pistoletë tip Beretta, automjeti tip Porche dhe 6 telefona celularë.

Fierza njihet si pjesë e bandës së Durrësit dhe së fundmi njeri i besuar i Lul Berishës dhe kunatit të tij, Plarent Dervishaj, person në kërkim ndërkombëtar. Në vitin 2008, Fierza është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 15 vjet burg për vrasje në tentativë ndaj shtetasit Aldo Avdyli në vitin 2007, por një vit më pas Apeli e shpalli të pafajshëm për mungesë provash.

Kjo ngjarje u pasua nga të tjera akte kriminale me motiv hakmarrjen. Pas pafajësisë, në vitin 2010 në automjetin e Fierzës shpërtheu një sasi eksplozivi, ndërsa 2 vjet më pas iu organizua një tjetër atentat në hyrje të Durrësit me armë zjarri.

Ndërkohë në 2005-n Fierza, atëherë ende i mitur ka qenë dënuar edhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg. Burime policore bëjnë të ditur se ai dyshohet si person i përfshirë dhe në gjobëvënie në emër të bandës ndaj biznesmenëve./tch/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme