Jetesa e vështirë e familjeve shqiptare, në shkollën e ndërtuar nga komunistët rusë

14:35 | 3 Tetor 2017
Arbresh.info

Dhjetëra familje të komunitetit egjiptian jetojnë prej vitesh në godinën e një shkolle, themelet e së cilës u hodhën nga rusët në vitin 1953.

Për ta mungojnë edhe kushtet më elementare të jetesës e banorët të lodhur, thonë se nuk mund të vazhdojnë edhe për shumë kohë mbijetesën. Kërkesat e tyre kanë mbetur pa përgjigje nga pushteti lokal, ndërsa banesat sociale që nisën të ndërtohen, janë në në mes për mungesë fondesh.

Themelet e kësaj ndertese në Cërrik u hodhën nga rusët në vitin 1953, e për shumë vjet me radhë ishte shkollë.

Por sot godina banohet nga komuniteti egjiptian që është strehuar aty prej 30 vitesh. Kushtet e jetesës në këtë vend nuk plotësojnë standardet minimale.

Mungesa e çatisë bën që shiu të hyjë brenda e shpesh edhe përmbyt familjet.

Banorët kërkojnë nga qeveria ndërhyrje të menjehërshme pasi për ta kjo jetesë është e padurueshme.

Nga ana e Bashkisë Cërrik janë dërguar shkresa të njëpasnjëshme drejt Ministrisë së Zhvillimit Urban, fakt të cilin e pohon Osman Dine kryetar i shoqatës egjiptiane për qarkun Elbasan, i cili interesohet për problemet e këtij komuniteti.

Osman Dine: Ne si kryesi e qarkut të komunitetit egjiptian i kemi bërë kërkesë kryetarit të bashkisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe nuk e di, mosakordimi i tyre ka bërë që këto familje të jetojnë në këtë gjendje të vështirë, mizerabël.

Ndërsa në Bashkinë Cërrik, Përgjegjësja e Zyrës së Urbanistikës shpjegon se çdo dokument-kërkesë e protokolluar i është dërguar Ministrisë së linjës por ende ndodhen në pritje të një përgjigjeje.

Pritja vazhdon edhe pse themelet e banesave sociale janë hedhur por për mungesë fondesh, ato janë shndërruar tashmë në gërmadha.

127 persona të këtij komuniteti vuajnë mungesën e strehimit, punësimit dhe përfitojnë vetëm 30 mijë lekë ndihmë ekonomike./Oranews

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme