Veseli: PDK, forca e vetme në Kosovë për t’iu prirë sfidave të mëdha

21:42 | 2 Tetor 2017
Arbresh.info

Partia Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e saj janë forca e vetme e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë në të gjitha periudhat e historisë së Kosovës. Kështu kanë thënë krerët e PDK-së në tubimin qendror elektoral në Prishtinë, ku kanë kërkuar përkrahjen e qytetarëve që më 22 tetor t’ia japin mundësinë PDK-së për të vazhduar ndryshimin e madh.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli tha se PDK po dëshmon edhe njëherë se është forca e parë për t’iu prirë sfidave përpara, duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, sepse janë për qytetarët dhe me qytetarët.

Veseli shtoi se ata janë PDK-ja që e donë shtetin, e mbron shtetin dhe ia garanton të ardhmen e tij. Vizioni i PDK-së, tha Veseli është i qartë dhe unik, komunë zhvillimore, komunë për zhvillim të qytetarit pa pengesa, komunë në shërbim të ndërmërrësisë dhe inovacionit, në shërbim të fermerëve dhe komunë me shanse për të rinjtë.

“Jemi të vetëdijshëm se sfidat para nesh janë ende të mëdha, por më i madh është vullneti dhe vendosmëria jonë për të ecur përpara. Dikush mund të pyes a mund të arrijmë këtë, gjithsesi po, nuk ka asnjë dilemë, asnjë mëdyshje, asnjë pengesë përpara. Vendi ynë, njerëzit tanë i kanë të gjitha mundësitë për zhvillim, punësim dhe mirëqenie. Forca e ndryshimit është njeriu ynë, është njeriu i Kosovës që po arrin në gjithë botën që i kërkon vendi, shteti, vet kombi ynë. E kush mund ta bëjë këtë më mirë se ata që ndryshuan fatin e kombit, kush mund ta bëjë këtë më mirë se sa ju, partia e çlirimit, sakrificës, krenarisë dhe shtet-ndërtimit, Partia Demokratike e Kosovës”, tha Veseli.

Më 22 tetor, Veseli tha se do të jetë kthesë e madhe dhe në çdo kthesë të madhe qëndron PDK-ja. Ai shtoi se kanë realizuar projekte që të tjerët vetëm i kanë ëndërruar, apo nuk i kanë besuar.

Kreu i PDK-së theksoi se veteranëve nuk do t’iu ndalet paga e tyre, porse do të punojnë që ata të inkuadrohen në tregun e punës.

Zëvendëskryetari i PDK-së dhe njëherit zëvendëskryeministër Enver Hoxhaj tha se PDK është partia e shpresës, e optimizmit dhe e besës, sepse PDK-së i ka besuar qytetari, por edhe PDK i ka besuar qytetarit.

Sipas Hoxhajt, njerëzit e PDK-së nuk janë forcë e ndryshimit vetëm në vitin 2017, por kanë qenë forcë e ndryshimit në vitin 2007, në vitin1997, në vitin 1981, 1967 dhe 1968-tën.

“Me lejoni të përmend ndryshimin e parë të madh në këtë vend, në qershor të vitit 1999, falë forcës motorike, adresës më të madhe UÇK-së. Duke e ndryshuar kahen e vendit tonë nga robëria në liri, ne kemi ndryshuar edhe politikën ndërkombëtare. Bota nuk ka qenë pas 1999-tës fal luftës së UÇK-së, e njëjta sikurse para vitit 1999. Ndryshimi i dytë i madh është vitin 2008, pavarësia e Kosovës, asaj i ka prirë PDK-ja, asaj i ka prirë fitorja jonë e madhe në nëntorin e vitit 2007. Nuk dua të them se pavarësia e Kosovës është meritë e PDK-së, por dua të them që PDK-ja është ajo që ka udhëhequr procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës”, theksoi Hoxhaj.

Hoxhaj ka përmendur ndryshimet që kanë ndodhur me qeverisjen e PDK-së, duke thënë se në vitin 2017, arsimtari, mjeku, polici, administrata shtetërore, marrin pagë dyfish më të madhe se sa kanë marrë në vitin 2007.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Lirak Çela tha se nuk janë parti e fjalëve, por parti e punës, forcë e ndryshimeve dhe kjo forcë, sipas tij, do të dalë fituese pas këtyre zgjedhjeve, sepse çdo e madhe që ka ndodhur në Kosovë e ka vulën e PDK-së.

Ai shtoi se Prishtina edhe pas 18 vjetëve pas luftës vazhdon të jetë në ankthin e trafikut, kjo ndërlidhje e keqe, ai tha se është edhe në fusha tjera dhe ora e zhvillimit për Prishtinën fatkeqësisht ka ndaluar, por me PDK, Prishtina do të lëvizë më shpejt se ndonjëherë më parë.

“Ne jemi forcë e ndryshimit dhe ky ndryshim po vije edhe në Prishtinë, sepse unë këtu pash kryetar të suksesshëm sikur që është Idrizi ose Sokoli, e shumë e shumë të tjerë. Jam i bindur të gjithë këta kanë çka të flasin për sukseset në komunat e tyre, edhe ne do ta kemi këtë kënaqësi që pas katër viteve të flasim për sukseset e Komunës së Prishtinës. Në këto katër vite do të punojmë që ta ndryshojmë edhe ne Prishtinën, që ta bëjmë të shpejt, të sigurt, të ngrohtë që Prishtina jonë të jetë destincaion dhe jo transit”, theksoi Çelaj.

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi ua ka dhënë fjalën qytetarëve se do të punojnë me përkushtim të madh për qytetarë, ndërsa zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet dhe shtyllë kryesore e forcës së tyre.

Ajo tha se në qeverisjen e fundit janë investuar vetëm 8 milionë euro, derisa nën qeverisjen e Avni Kastratit janë investuar në Mitrovicë, 100 milionë euro dhe ky është dallimi. Derisa është zotuar se ajo do t’ia kthejë dinjitetin Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

“Unë si kryetare e ardhshme e Mitrovicës, bashkë me ju punëtor e atdhetar që keni mbajtur mbi supe pasojat e një qeverisje abuzive po mobilizohemi për ta ndryshuar qytetin tonë. Do të dëshmojmë dhe po dëshmojmë që jemi forcë e ndryshimit të madh. Sepse, si bijë e minatorit e kam borxh me ia kthyer dinjitetin qytetarëve të Mitrovicës dhe do t’ia kthejmë më 22 tetor. Mitrovica nuk do të qeveriset më me logjikën e pazareve, e nuk do të qeveriset as me logjikën e sharpagjinjëve, asnjëherë”, tha Idrizi.

Në këtë tubim elektoral të PDK-së, kanë folur edhe kandidatë tjerë për kryetar të komunave nga qytetet kryesore, siç janë Shaqir Totaj kandidat për kryetar të Prizrenit, Zenun Pajaziti kandidat për kryetar të Gjilanit dhe Agim Aliu kandidat për kryetare të Ferizajt, të cilët kërkuan votën e qytetarëve, duke thënë se qeverisja katër vjeçare e tyre do të jetë në të mirë të qytetarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme