Google ADS

15 policët e jugut në Mitrovicë nuk e pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti

15:08 | 2 Tetor 2017
L G

15 zyrtarët policorë, nuk e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti, në shqyrtimin fillestar që është mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Policët e akuzuar Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, deklaruan se nuk e ndjejnë vetën fajtor për veprën penale me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Pasi të akuzuarit nuk pranuan fajësinë, gjyqtari Avni Mehmeti, njoftoi se nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë, por palëve do tu jepet mundësia e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave në afat prej 30 ditësh dhe se vendimin mbi kundërshtimin e aktakuzës do ta marrë jashtë seancës gjyqësore.

Ky shqyrtim fillestar u mbajt ndaj zyrtarëve policorë të stacionit të jugut në Mitrovicë, pas veçimit të procedurës për zyrtarët e tjerë të veriut, me vendim të gjykatës, më 03 gusht 2017.

Në këtë shqyrtim prezent ishin të gjithë të akuzuarit, por munguan mbrojtësit Ruzhdi Maloku, Shefqet Ibrahimi dhe Zhivojin Jokanoviq, përkundër kësaj të akuzuarit Sllavisha Spasiq, Sahir Hajdari dhe Bojan Saviq, u pajtuan që seanca e shqyrtimit fillestar të vazhdojë pa prezencën e mbrojtësve të tyre.

Avokati Agon Lufi, njoftoi gjykatën se zyrtarisht ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, më shkresën e datës 19 qershor 2017, që t’i sigurohen deklaratat në polici e të bashkakuzuarve Bojan Saviq, Destan Rrecaj dhe Nazim Hamiti, por tha se deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga prokuroria.

Në lidhje me këtë, prokurorja e rastit Zejnije Kela, njoftoi se ka pranuar shkresën në fjalë dhe dokumentacionin e kërkuar, avokatit Lufi ia dorëzoi në seancë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën e ka ngritur ndaj 35 policëve të trafikut rrugor, por pas veçimit të procedurës, kjo seancë e shqyrtimit fillestar u mbajt vetëm ndaj zyrtarëve te jugut, ndërsa për zyrtarët policorë të veriut, seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 3 tetor 2017.

Ndryshe, Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari , Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq , Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme  nga kundërvajtësit në trafik.

Shumat në fjalë i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave  të Ligjit mbi Komunikacionin Rrugor.

Vepra penale “marrja e ryshfetit”, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet sipas KPRK-së./Betimipërdrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme