Demarkacioni mund të fusë në krizë marrëdhëniet Kosovë – Mali i Zi

08:18 | 30 Shtator 2017
M. A.

Kosova nuk mund ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit, çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi pa e pasur edhe aprovimin e kësaj të fundit.  E refuzimi i Malit të Zi mund t’i dërgojë dy vendet në një krizë politike.

Për këtë çështje, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, thotë së s’mund të detyrohet Mali i Zi që të dërgojë në Arbitrazh marrëveshjen e demarkacionit me Kosovën.

“Ne kemi qenë gjithmonë të qartë që çështja e demarkacionit është çështje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi. Shtetet e Shengenit, kanë qenë të qartë që mbetën dy kushte për liberalizimin e vizave, çështja e demarkacionit por gjithashtu çështja e luftimit të krimit të organizuar. Por dua të këshilloj që arbitrazhi përdoret për të zgjedhur mospajtime vetëm nëse dy palët pranojnë, që do të thotë se nëse do të përdoret arbitrazhi Mali i Zi duhet të pranojë përdorimin e arbitrazhit. Askush nuk mund t’i detyrojë të përdorin arbitrazhin”, ka thënë O’Connell.

Të njëjtin mendim me ambasadorin O’Connell e ndajnë edhe analistët politikë, duke theksuar se Demarkacioni duhet të zgjidhet brenda Kosovës, me mirëkuptim të Malit të Zi.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për arbresh.info se  Kosova nuk mund të veprojë asgjë për ndryshimin e demarkacionit, pa vullnetin e Malit të Zi.

“Zyrtarët kosovarë duhet të provojnë që të arrijnë një marrëveshje, respektivisht pajtim me këtë shtet, se si të ecet tutje. Mali i Zi nuk ka kurrfarë interesi që ta rikthejë edhe njëherë çështjen e demarkacionit nga fillimi. Andaj, ky problem duhet të zgjidhet brenda Kosovës, por me mirëkuptimin e Malit të Zi. Se sa mund të arrihet ky mirëkuptim, mbetet të shihet”, deklaroi Mushkolaj.

E mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër Donik Sallova, i cili thotë se nëse Mali i Zi refuzon ta dërgojnë Demarkacionin në Arbitrazh, atëherë të dy shtetet do të futën në marrëdhënie krize.

“Nëse Mali i Zi e refuzon qoftë edhe Arbitrazhin, atëherë dy shtetet do të futen në marrëdhënie krize me njëra tjetrën. Kriza e këtyre marrëdhënieve nuk i konvenon as Malit të Zi, ku edhe stabiliteti politik i qeverisë Malazeze varet nga qëndrimi i shqiptarëve atje”, tha Sallova.

Sipas Sallovës, komisioni i ri shtetëror për demarkacionin do të dalë me një raport më ndryshe nga ai që është nënshkruar mes dy shteteve.

“Komisioni i ri shtetëror për demarkacionin me shumë gjasë do të dalë me një raport të ndryshëm nga ai i marrëveshjes së nënshkruar me Malin e Zi. Mbi këtë bazë, nëse Kuvendi do ta rrëzojë marrëveshjen e nënshkruar dhe kështu qeveria e Kosovës do t’i kërkojë Malit të Zi ri-negocimin e kufirit. Marrëveshja nuk do të jetë fuqiplotë pa u ratifikuar nga Kuvendet e dy shteteve, prandaj as për Malin e Zi kjo çështje nuk do të jetë e kryer siç po pretendohet. Do të mbetet çështje e hapur derisa të dy Kuvendet ta ratifikojnë marrëveshjen e njëjtë”, thekson Sallova.

Momentalisht, Kosova është me pozitë te pafavorshme, duke qenë se në kuadër të pikave që duhen plotësuar për të arritur liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian është edhe ratifikimi i kësaj marrëveshjeje./Mira Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme