Kryeministri i Shqipërisë e befasoi shumë kë të mërkurën, e më së shumti homologun e tij nga Kosova kur u pozicionua në favor të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverisë së mëparshme të Kosovës me Malin e Zi për demarkacionin, por Edi Rama nuk do të duhej të befasohej nëse dikush nga Kosova, në shenjë hakmarrje, tash do t’i thotë atij se Sali Berisha e kishte mirë kur e nënshkroi marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë…
Shkruan Edmond Ekrem Krasniqi, Bruksel
Partia e cila udhëhiqet nga Edi Rama në vitin 2010, asaj kohe në opozitë, e pat fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e vitit 2009 të qeverisë së asaj kohe të Sali Berishës për kufirin detar me Greqinë.
Mposhtja e kësaj marrëveshjeje nga gjykata mé e larté shqiptare bëri që situata të mos zgjidhet tashmë plot tetë vite dhe ngërçi midis Tiranës dhe Athinës vazhdon edhe sot, kur në pushtet gjendet për të dytin mandat me radhë, vet Edi Rama dhe PS-ja e tij.
E njëjta situatë po i përsëritet edhe Ramush Haradinajt me AAK-në e tij që nga viti 2015. Haradinaj e kundërshtoi sa ishte në opozitë marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e Isa Mustafës për demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Skender Hyseni.
Tash Haradinaj ndodhet në pushtet në Kosovë dhe vazhdon që të jetë kundër kësaj marrëveshje, ashtu siç Rama vazhdon që të jetë kundër marrëveshjes së Berishës me Athinën për detin Jon.
Pozicionimi i papritur dhe madje edhe befasues i Ramës, i shpalosur në konferencën për shtyp të mërkurën ishte i panevojshëm dhe i çuditshëm.
Arsyet e theksuara nga Rama për pozicionimin e tij kundër kundërshtimeve të Haradinajt ndaj kësaj marrëveshjeve të nënshkruar dy vite më parë midis Prishtinës dhe Podgoricës, përkatësisht ato të ndërlikimeve që po dalin për shkak të pozicionimit të njëjtë të bashkësisë ndërkombëtare (lexo : diplomatëve të SHBA-së dhe atyre të BE-së) mua personalisht më duken jashtëzakonisht banale.
Nuk ka të bëjë hiç aspak nëse marrëveshja në fjalë është apo nuk është në rregull.
Nuk ka të bëjë hiç aspak nëse qeveria e kaluar e ka mirë apo gabim, apo nëse qeveria e tashme me në krye me Haradinajn e ka mirë apo gabim për 8200 hektarët e kontestuar tek bjeshkët e kufirit Kosovë- Mali i Zi.
Ka të bëjë me korrektësinë që deri dje ka mundur të llogariste (deri para konferencës për shtyp) Haradinaj nga homologu i Tiranas, Rama.
Edi Rama pa pikë nevoje iu përulë qëndrimeve të perëndimorëve dhe e vuri në pozitë jo të lakmueshme personalisht Haradinajn, i cili edhe ashtu ndodhet me probleme dhe ndërlikime të të gjitha llojeve që në javët e para të detyrës së re, jo vetëm me çështjen e demarkacionit në fjalë me vendin fqinjë, por … lista e tyre është shumë e gjatë.
Të paktën që ka mundur të bëjë dje Edi Rama, do të ishte që të mbante një qëndrim neutral ndaj ngërçit midis qeverisë së re në Kosovë dhe Podgoricës, e jo që të
pozicionohet pa asnjë kalkulim të vetëm mbi efektin aspak pozitiv që krijoi qëndrimi i tij.
Haradinaj nuk mund të jetë krenar me takimin e së mërkurës me Ramën, edhe pse pjesa më e madhe e vizitës së tij në Tiranë për çështje të bashkëpunimit midis të dy vendeve kishte një rend të ditës mjaft të ngjeshur dhe pozitiv, të paktën kështu tingëlluan premtimet e të dy kryeministrave.
Në të njëjtën kohë, as Rama nuk do të duhej të jetë krenar me këtë « thyerje hunde » publike té pa matur që i bëri Haradinajt për demarkacionin.
Të paktën ai do të kishte mundur t’i jepte ndonjë këshillë Haradinajt bazuar në përvojën që Rama si dikur opozitarë e pati dhe tash pushtetarë e ka me Greqinë për ngërçin e kufirit detar.
Por kjo nuk ndodhi.
Haradinaj, përkatësisht AAK e tij, tash në Kosovë ndodhet e vetmuar me VV-në kundër versionit aktual të demarkacionit.
Nuk është fjala këtu nëse do i humb apo do i mbeten Kosovës 8200 hektarë kur do t’i vihet epilogu çështjes së demarkacionit.
Këtu është fjala për një koordinim më të mirë dhe më profesional midis të dy kryeqyteteve për çështje të ndjeshme si kjo.
Këtu është fjala për këshilla dhe ndihmë e jo siç ndodhi turpërim dhe « thyerje hunde » në mënyrë publike nga kryeministri i Shqipërisë atij nga Kosova.
Në fund të fundit, Shqipërisë BE-ja ia hoqi vizat edhe pse Tirana nuk e ka të rregulluar çështjen e ngërçit të kufirit detar, të shkaktuar nga Sali Berisha dhe
qeveria e tij me Greqinë.
Kosovës BE-ja ia bëri të kundërtën. Vetëm Kosovës dhe asnjë vendi tjetër të rajonit, pra as Shqipërisë, BE nuk ua ndërlidhi çështjen e liberalizimit të vizave me ngërçet e kufijve. Kësaj i thonë standard i dyfishtë i pa skrupull.
Edi Rama nuk do të duhej që të përqafonte kuturu qëndrimet e të tjerëve për çështje që nuk kanë të bëjnë aspak me Shqipërinë, në këtë rast kufirit të Kosovës.
Merreni me mend, nëse tash Ramush Haradinaj do të dilte e të thoshte se Sali Berisha kishte të drejtë kur nënshkroi marrëveshjen e kufirit detar me Shqipërinë e Edi Rama e pati keq kur u ankua në Gjykatë Kushtetuese.
Zotëri Rama, u ngute pa nevojë.
A do të thotë kjo se për shkak të presioneve të diplomatëve perëndimorë qeveria e re në Kosovë u dashka që të ndryshojë qëndrimin për demarkacionin, ashtu siç ti do të mund të ndërroje në të ardhmen qëndrimin për vendimin e Sali Berishës për detin Jon, sepse Greqia po i kërcënohet Shqipërisë me bllokadë të rrugës për në BE ?
(Autori është themelues i agjensionit të lajmeve në gjuhën angleze për BE-Ballkan Perëndimor dtt-net.com)
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...