Kosovës po i pakësohen opsionet në lidhje me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, thonë analistët politikë.
Sipas tyre, qëndrimi i përsëritur i Podgoricës se për Malin e Zi, Demarkacioni është çështje e mbyllur, i ka dhënë mesazhe të qarta Qeverisë së Kosovës se ratifikimi i Marrëveshjes aktuale, të nënshkruar qysh në gusht të vitit 2015, mbetet zgjidhja më e mirë.
Por, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli u ka thënë zyrtarëve në Podgoricë se tash për ratifikimin i marrëveshjeve ekzistuese për shënjimin vijës kufitare është i pamundur për shkak të rrethanave politike dhe përbërjes së re të Kuvendit.
Në këso rrethana, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë thonë se Kosovës nuk i mbetet rrugë tjetër përveç ta respektojë marrëveshjen dypalëshe që është nënshkruar mes komisioneve të shteteve përkatëse.
Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se zhbërja e Marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit është e pamundur, pasi që pala malaziase nuk do që të përfshihet në asnjë rrethanë në këtë çështje.
“Marrëveshja nuk mund të rinegociohet sepse nuk ka asnjë fakt të ri dhe nuk ka asnjë vërejtje të komisionit shtetëror. Kosova e ka bërë ndërrimin e komisionit që është në të drejtën e Kryeministrit. Por, Kosova, nuk mund t’i ndryshojë kriteret e rinegocimit pa pasur pasoja dhe pa e ditur rezultatin”, thotë Tahiri.
Tahiri thotë se Kosova, në këtë rast Qeveria e saj, duhet të sillet si subjekt i përgjegjshëm dhe të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ketë sjellje si parti politike.
“Vetëm nga fakti se është ndryshuar partia politike në pushtet, prej të cilës vjen Kryeministri, nuk dërgohet çështja në arbitrazh. Këto janë çështje profesionale që Qeveria duhet t’i dijë. Pa pasur objekt kundërshtimi nuk dërgohet çështja në arbitrazh. Unë thjesht mendoj se Kosova po hynë në një rrugë pa krye, për shkak të synimeve politike dhe po i humb konditat shtetërore dhe respektin institucional dhe duhet të respektohen kriteret ligjore dhe kushtetuese”,tha Tahiri.
Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, sipas analistëve, mund të vijë në shprehje nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë në Kuvend Marrëveshjen për demarkacionin.
Analisti Artan Muhaxhiri, thotë se Qeveria e re duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë për të dalë nga bllokimi i çështjes së Demarkacionit.
“Opsioni më real mund të jetë edhe arbitrazhi, por nëse paraprakisht sigurohen të gjitha prerogativat ligjore dhe politike që një proces i tillë nuk do të jetë i dëmshëm për qytetaret e Kosovës dhe për agjendën evropiane të Kosovë”, thotë ai.
Muhaxhiri thotë se kryeministri duhet të gjejë një zgjidhje reale e jo populiste dhe me kokëfortësi.
“Zoti Haradinaj duhet të ballafaqohet me realitetin dhe ta kërkoj një zgjidhje e cila është realiste dhe praktike. Pra, nuk duhet të mbetet peng i qëndrimeve populsite deri sa ishte në opozitë, pasi është e kuptueshme se ato kanë qenë më të sforcuara se sa është dashur”, tha Muhaxhiri.
Ndryshe, komisioni i sapoemëruar shtetëror për shënjimin e vijës kufitare është në pritje të udhëzimeve dhe kompetencave nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kryesuesi i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë se komisioni i ri, si punë të parë do ta ketë shqyrtimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por edhe do t’i analizojë të gjitha raportet që janë bërë deri më tash nga komisioni paraprak.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.
Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës.
Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...