Google ADS

Misioni më i vështirë i Merkelit: Gruaja më e fortë në botë rrezikon të bëhet “kancelare e paradave”

08:28 | 25 Shtator 2017
L G

Deri tash i mbrojtur nga ekstremizmi dhe populizmi i djathtë, vendi më i fuqishëm i Bashkimit Evropian me këto zgjedhje parlamentare ka treguar se nuk mund të mbetet ishull i stabilitetit në një botë që po ndryshon në mënyrë dramatike. 

Pavarësisht papunësisë së ulët, pavarësisht rritjes së qëndrueshme ekonomike, pavarësisht suficitit buxhetor, pavarësisht stabilitetit pothuajse të bezdisshëm… Gjermania të dielën u bë një nga shtetet e BE-së ku ekstremistët djathtë do të jenë në Parlament.

Lajmi kryesor i zgjedhjeve për Bundestagun është se me 13 për qind të votave – sa i fitoi Alternativa për Gjermaninë (AfD) – djathtistët kanë tërhequr më shumë se një milion votues demokristianë, duke përdorur veç politikat anti-emigracion dhe anti-islam.
Për AFD-në dihet se për çfarë janë kundër, por tek me punën opozitare në Bundestag do të dihet se për çfarë janë për. Për shembull, si do votojnë për reformën e sistemit të pensioneve, duke pasë parasysh faktin se partia nuk ka qëndrim të unifikuar për çështjen, siç tha në fushatë kandidati i tyre kryesor, Alexander Gauland, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, do të jetë interesante të dihet nëse përditshmëria parlamentare do të urtësojë 80 anëtarët e AfD-së – në mesin e të cilëve ka revizionistë famëkeq dhe neonazistë të maskuar keq – apo do të vazhdojë marshimi i suksesshëm i ndryshimeve radikale të skenës politike gjermane. Gauland sonte njoftoi se detyra e tyre kryesore do të jetë “gjahu në të”, pra në Merkelin.

Kancelarja ka humbur 8-9 për qind të votave në raport me zgjedhjet e mëparshme, por mbetet ende në pushtet. Merkel ashiqare është dobësuar, por ende është e pashmangshme. Atë e pret detyra e vështirë për koalicionin qeverisës, i cili nuk mund të llogarisë te socialdemokratët të cilët me 20 për qind të votave kanë përjetuar përmbysje historike për çka duan të shkojnë në opozitë. Kjo është gjë e mirë për ta dhe për demokracinë gjermane, sepse në Gjermani – që nga viti 2005 – ka dominuar një koalicion i madh i zi dhe i kuq që nuk ishte i mirë për vendin, gjë që i dha hapësirë AfD-së.
Merkel pra duhet të shkojë në koalicion me FDP-në liberale dhe Të Gjelbrit që kanë më shumë vota se katër vjet më parë dhe të cilët tash kanë apetite më të mëdha. Raportet e tilla në Gjermani quhen Koalicioni-Xhamajka, sipas ngjyrave të partive që bashkë janë si ngjyrat e flamurit të Xhamajkës: kuq, verdhë dhe gjelbër. Të gjithë që tani po paralajmërojnë biseda të vështira për koalicion.

Derisa qëllimi i parë i CDU-së dhe partisë simotër bavareze CSU është të kthejnë votat që i ka marrë AfD-ja, FDP dhe Të Gjelbrit kanë qëllim ndalimin e një programi konservator qeveritar. Në fakt, të dyja këto të fundit duan ndryshime, për çka Merkel në mandatin e katërt mund të jetë kancelare e paradave, sepse partnerët janë ata që do të caktojnë rendin e ditës.

Për socialdemokratët nuk ka diçka të veçantë, pos që qëndrimi në opozitë mund t’i ndihmojë nga rënia edhe më e madhe. Qendra e majtë sot nuk është pozita që mund të kthejë socialdemokratët e BE-së së sotme në pushtet apo në rezultate më të mira, prandaj Martin Schulzi dhe kolegët e tij është mirë të studiojnë politikat e laburistëve të Jeremy Corbynit në Britani të Madhe dhe të kryeministrit socialist të Portugalisë, Antonio Costa

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme