Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ka thënë se nuk e ndjen Greqinë armike, pavarësisht problemit që këto dy shtete e kanë për emrin dhe identitetin e Maqedonisë, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, para kësaj, Gruevski e tregoi edhe arsyen se pse nuk ka ardhur në Prishtinë për vizita zyrtare, sa kishte qenë kryeministër.
“Saktë është që nuk kam ardhur në vizitë bilaterale, kam ardhur në Prishtinë në cilësi tjetër, gjegjësisht në një ngjarje tjetër zyrtare si kryeministër, por nuk ka qenë vizitë direkte bilaterale”, tha Gruevski në Zonën e Debatit në Klan Kosova.
Sidoqoftë, ai e ka arsyetuar mungesën e vizitave të tij në Kosovë, me justifikimin se ata janë parë shpesh në takimet mes liderësh që ata i kanë pasur jashtë.
“Shpesh kemi marrë pjesë në forume të ndryshme, në suaza të të cilave kemi realizuar takime, dhe ndoshta ajo ka kontribuuar që më rrallë të bëjmë takime bilaterale”.
“Shiheshim në New York, në Bruksel, ku shpesh mblidheshim të gjithë nga rajoni dhe kemi pasur pastaj ngjarjen kryesore për të cilën mblidheshim. Pastaj kemi pasur takime individuale”.
“Mundohemi që të kemi relacione më mira për të gjithë. Nëse do të kishim marrë ftesë do të kishim ardhur”, tha Gruevski, duke thënë se në Tiranë kishte shkuar sa herë që ishte ftuar.
“Mendoj që takimet nuk kanë qenë problem, nuk kanë munguar. Mendoj që forma nuk ka qenë ajo që ju e prisni”.
Tutje, pavarësisht mospajtimeve me Greqinë, ish-kryeministri i Maqedonisë, tha që nuk ndjen armiqësi ndaj këtij shteti.
“Nuk do të thosha armik. Nuk e ndjej Greqinë armik”, deklaroi Gruevski, duke refuzuar ta quajë Greqinë madje edhe si kundërshtare.
“Ne me Greqinë nuk kemi problem me çështje tjera, përveç çështjes lidhur me identitetin dhe emrin, dhe si pasojë e asaj, hyrja në NATO dhe BE”.
“Përndryshe, ekonomia, tregtia, investimet, turizmi janë në mënyrë solide të zhvilluara, madje mund të them edhe mjaft të mira”.
“Kjo çështje është ajo që na mundon dhe që na krijon probleme”.
“Në fakt nëse shohim atë, Shqipëria deri më tani, për shkak të Greqisë nuk na ka njohur me emrin kushtetues. Deri më tani, Shqipëria na referohej si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë që për secilin maqedonas është një lloj fyerje, një lloj ofendimi”.
“Ndoshta atë e kanë bërë që mos të hidhërohet Greqia për Maqedoninë”, tha Gruevski.
Sidoqoftë, lidhur me Shqipërinë, ai përfundoi duke thënë se Maqedonia dhe Shqipëria kanë relacione solide.
Prizreni siguron 2030 metra dru e 1520 tonë pelet për ngrohj...
Berisha i drejtohet shqiptarëve në Londër: Keni rol përcaktu...
Anglia merr fitore të thellë ndaj Irlandës dhe rikthehet në ...
Kurti: Doracakët asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë e as teks...
‘Termokos’: 17.500 konsumatorë me pajisje matëse për ngrohje
Eksperti gjerman bën një propozim radikal: Burrat patentë-sh...