5 arsye pse keni vazhdimisht mpirje duarsh

22:01 | 24 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Duart përmbajnë disa nga receptorët e prekjes më të ndjeshëm në të gjithë trupin. Të gjithë këta receptorë janë të lidhur me trurin nga një rrjet nervash. Nëse një nga këto nerva, ose një seksion i këtyre nervave, tkurret ose dëmtohet, truri nuk mund të marrë të gjithë informacionin që dërgojnë duart.

Pasojat mund të jenë mpirja e duarve. Një nga shkaktarët kryesorë të mpirjes së dorës është sindroma e tunelit karpal, një gjendje ku nervi i mesit, që fillon nga parakrahu deri tek dora, fillon të tkurret në kyçin e dorës. Kjo sindromë është sidomos e zakonshme për njerëzit që kalojnë shumë kohë duke punuar para kompjuterit.

Përveç mpirjes, simptoma të tjera të sindromës së tunelit karpal janë edhe ndjesia sikur një ose disa nga gishtat e dorës, sidomos gishti i madh, tregues dhe i mesit, janë ënjtur apo sikur po ju shpojnë me gjilpëra.

Përveç kësaj sindrome, mpirja e duarve shkaktohet edhe për shumë arsye të tjera, në disa raste edhe serioze. Nga diabeti deri tek problemet me tiroidet, ja cilat janë disa nga arsyet përse ju mpihen duart:

  1. Bërryli i tenisit: Nëse luani tenis ose golf, apo merreni me aktivitete që kërkojnë përkuljen e dorës, kyçit ose bërrylit rrezikoheni nga epikondiliti ose “bërryli i tenisit”. Kjo gjendje vjen si rezultat i mbipërdorimit dhe tejlodhjes së tendinave të muskujve që fiksohen në të gjithë këtë pjesë. Disa nga veprimet që shkaktojnë epikondilitin në mënyrë tipike janë: suvatimi, përdorimi i veglave hidraulike, vizatimi, prerja e mishit në kuzhinë, shtrëngimi i vidave etj.
  2. Çrregullime të tiroideve: Mund të mos jetë gjëja e parë që të vjen ndërmend, megjithatë një çrregullim i tiroides mund të çojë edhe në mpirje të duarve. Nëse lihet pa trajtuar, një tiroide jo mjaftueshëm aktive, apo hipotiroidizmi, mund të çojë në dëmtime të nervave që transportojnë informacione mes trurit, shtyllës kurrizore dhe pjesës tjetër të trupit. Nëse po përjetoni edhe simptoma të tjera të hipotiroidizmit, si rënie të flokëve, shtim në peshë apo keni të ftohtë gjatë gjithë kohës, është koha të flisni me një mjek
  3. Goditje në tru: Mpirja ose ndjesia e shpimit me gjilpërë mund të jenë shenja paralajmëruese të goditjes në tru. Simptoma të tjera të para të kësaj sëmundjeje janë probleme me të folurin ose të menduarin, marrje mendsh, shikim të turbullt ose shtrembërim të buzëqeshjes. Nëse të gjitha këto përshkruajnë atë që po ndieni, bëni menjëherë një vizitë mjekësore. Edhe nëse jeni të rinj, mund të pësoni goditje në tru për ndonjë arsye a tjetër. Rreth 10% e të gjithë viktimave nga goditja në tru janë më të rinj se 45 vjeç. Të qenit në formë ose aktivë fizikisht nuk do të thotë se nuk jeni të rrezikuar nga goditja në tru.
  4. Cistet: Cistet ganlion janë gjëndra jo-kancerogjene ose depozita që mund të formohen në të gjithë trupin, edhe pse priren të shfaqen mbi ose përreth kyçeve. Këto ciste janë të zakonshme. Nëse formohen në kyçin e dorës, mpirja është simptoma më e zakonshme. Zakonisht ato zhduken vetvetiu, në rast të kundërt nevojitet ndërhyrja kirurgjikale.
  5. Diabeti: Me siguri e dini tashmë se urinimi i shpeshtë, etja e shtuar dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak janë të gjitha shenja të para të prediabetit. Nëse po përjetoni këto simptoma duhet të konsultoheni me një mjek. Nëse lihet pa trajtuar, mund të zhvillohet mpirja e duarve si pasojë e dëmtimit të nervave nga diabeti. Turbullimi i shikimit, problemet me veshkat dhe zemrën janë të gjitha rreziqe të lidhura me mostrajtimin e diabetit. Burimi “shëndeti.com.al”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme