Google ADS

Tahiri: Sundimi i ligjit po fuqizohet edhe në veri të vendit

16:46 | 24 Shtator 2017
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka dhënë sot një lajm të madh për veriun e Mitrovicës.

Përmes një statusi në llogarinë e tij në rrjete sociale, ministri Tahiri ka thënë se shumë shpejt do të fillojnë punën e tyre edhe gjyqtarët në gjykatat e veriut të vendit, krahas Policisë dhe Prokurorisë.

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi, sipas ministrit Tahiri, shkëputë përfundimisht çdo ndikim të mundshëm të Serbisë në sistemin juridik të vendit.

Ky është statusi i plotë i Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri:

Një prej sfidave më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte shtrirja e sovranitetit dhe integrimi në kuptimin e plotë të fjalës, veçmas në veri të vendit. Është punuar shumë në këtë drejtim, po aq sa është punuar shumë që shoqëria shumetnike e Kosovës të ndërtojë një konsensus për të ecur bashkërisht përpara. Sot, situata po ndryshon konkretisht. Shumë shpejt do të zbatohet Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi, që krahas Policisë dhe Prokurorisë, edhe gjyqtarët të fillojnë punën e tyre në gjykatat në veri të vendit, që qytetarët e Kosovës pa dallim, të kenë qasje në sistemin e drejtësisë sipas ligjeve dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i kësaj marrëveshje është hap shumë i rëndësishëm që shkëputë përfundimisht çdo ndikim të jashtëm në sistemin juridik të vendit dhe si i tillë, është lajm i madh për institucionet, qytetarët dhe të ardhmen tonë të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Tani e tutje, qytetarët e Kosovës brenda tërësisë territoriale të saj, do të ballafaqohen me një sistem unik të drejtësisë të bazuar në një Kushtetutë të vetme, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme