Google ADS

Xhaferi: Integrimi evro-atlantik i bën vendet e Ballkanit më të përgjegjshëm

09:34 | 24 Shtator 2017
Arbresh.info

Kryeparlamentari i Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, të shtunën dhe të dielën në Prishtinë po merr pjesë në Konferencën e organizuar nga Federata Univerzale për Paqe për Evroazi, , Internacionale dhe Evropë, njoftojnë nga kabineti i tij, transmeton Zhurnal.mk

Kryeparlamentari, Xhaferi në këtë konferencë është paraqitur me temën “Kulturë dhe Paqe në Ballkan – Roli I deputetëve”.

“Paqja është një nga vlerat më të mëdha të civilizimit njerëzor. Ajo është vlerë e pandashme dhe universale e cila në të njëjtën kohë, për shkak të sjelljes së njerëzve është edhe shumë e brishtë. Ne që jetojmë në Ballkan, atë brishtësi e ndjemë në historinë më të re, më saktë, prej shpërbërjes së Jugosllavisë së mëparshme ndërsa çmimi ishte i lartë, me mijëra jetë të humbura, shtëpi të rrënuara, resurse të shkatërruara. Por, mendoj se me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare kuptuam se gjithçka, bile edhe çështjet dhe dallimet më të vështira, në fund zgjidhen me dialog. Domethënë, zgjidhja për çdo konflikt duhet të kërkohet ekskluzivisht vetëm nëpërmjet dialogut”, ka thënë kryeparlamentari Xhaferi në fjalën e tij.

Sipas tij, të gjithë ne nga Ballkani Perëndimor, e kemi definuar anëtarësimin në organizatat Euroatlantike si përcaktimin tonë strategjik.

“Ky është përcaktim i cili na bën edhe më të përgjegjshëm për arsye se, në njërën anë punojmë në shtëpi për të krijuar kushte për stabilitet dhe zhvillim të brendshëm ndërsa në të njëjtën kohë, kemi p0ërgjegjësi të punojmë edhe për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Nuk ka nevojë t’ju rikujtoj se këto janë principe dhe standarde që janë të domosdoshëm për tu bë anëtar i organizatave Euroatlantike”, ka theksuar Xhaferi.

Në anën tjetër, ka shtuar ai, jemi të vetëdijshëm dhe real se në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve, akoma ka çështje të hapura dhe probleme. Do e përmend kontestin rreth emrit që e ka “Republika e Maqedonisë me Greqinë. Kjo çështje e hapur është arsyeja që Republika e Maqedonisë ngec në procesin e integrimit në BE dhe NATO. Më tutje, raportet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në një mënyrë gjithashtu i ngarkojnë të dy shtetet në proceset integruese dhe kjo ndikon mbi stabilitetin e përgjithshëm në rajon. Dhe, të jemi të sinqertë, për arsye se ne jemi parlamentarë ndërsa diplomacia parlamentare, për dallim nga diplomacia klasike, është shumë më e hapur dhe më elastike, çështjet e pazgjidhura bilaterale mundet për momentin me të vërtetë drejtpërdrejt nuk e rrezikojnë paqen por, përsëri, krijojnë një imazh më pak pozitiv për çdo shtet veçmas, si edhe për tërë rajonin. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, edhe në këtë periudhë të mandatit do të vazhdojë me aktivitetin e vet ndërkombëtar në të gjitha nivelet. Unë si kryetar, në emër të të gjithë njëqindenjëzet deputetëve,  dëshiroj të theksoj se mbesim edhe të hapur, edhe të gatshëm që të inkuadrohemi në mënyrë aktive në realizimin e cilësdo iniciative ose propozimi që do të çojë kah përforcimi i stabilitetit në rajon dhe perspektivës së tij Euroatlantike. Në fund, kisha dashur tu falënderohem organizatorëve të kësaj konference ndërkombëtare e cila vjen në kohën e qëlluar. Besoj se të gjithë ne së bashku do të punojmë në drejtim të vazhdimit të mëtutjeshëm të kësaj praktike e cila do e përforcojë rolin dhe përgjegjësinë e parlamenteve në përforcimin e mëtutjeshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve që na kanë zgjedhur dhe detyra jonë historike ndaj gjeneratave të ardhshme, ka potencuar Xhaferi.

Në këtë konferencë kryeparlamentari Xhaferi është dekoruar me me dekoratën ambasador Paqe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme