Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka reaguar ndaj zhvillimeve të ditëve të fundit në kuadër të reformës në drejtësi.
Teksa po zhvillohen dëgjesa publike me kandidatët për anëtarë të komisioneve të Vettingut, Luan Rama shkruan se “Mosplotësimi i kushteve për këto institucione është përpjekje e qeverisë për të mbajtur nën kontroll reformën në drejtësi!”.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai i bën ftesë publike ambasadorët e BE-së dhe të SHBA në vendin tonë që të ndjekin nga afër këtë proces, në mënyrë që të mos bllokohet.
POSTIMI I PLOTË I RAMËS: Reforma në Drejtësi, si një përrallë nga e kaluara!
Mosplotësimi i kushteve për institucionet e vetingut – përpjekje e qeverisë për të mbajtur nën kontroll reformēn në drejtësi!
Një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA: ndiqeni procesin me të njejtën konsistencë që shfaqët gjatë miratimit të reformës në drejtësi, sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vetingut!
Do të duhej të kishin nisur nga puna institucionet e vetingut, e kësisoj do të mund të thonim se më në fund ka filluar të zbatohet edhe reforma në drejtësi. Mirëpo, ja që qeveria, ca nga vetja e ca nga ca zëdhënëse të saj në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, po na shfaq fytyrën tjetër: fytyrën e dytë, në fakt fytyrën e vërtetë, atë kunder reformës në drejtësi!
Disa ditë më parë, një relatore rilindase në komisionin e ligjeve, teksa po diskutohej struktura organizative dhe pagat e komisioneve te vetingut, hodhi idenë “brilante” që këto komisione që janë konceptuar e parashikuar nga ligji si institucione kushtetuese me rëndësi jetike për cilësinë e suksesit të reformës në drejtësi, nuk është e nevojshme të kenë administratë dhe as infrastrukturë të tyren, por të përdorin administratën dhe infrastrukturën e Gjykatës Kushtetuese! Madje me një përmasë alarmante budallallëku teksa flitej në komisionin e ligjeve për Kolegjin e Apelimit, merrej për referencë Avokati i Popullit!
Si ka mundësi të jenë kaq skandalozë dhe kaq injorantë që të mos kuptojnë se kjo idiotësi e tyre bie ndesh e është në kundërshtim me parimin e pavarësisë funksionale!
Si mundet të mos e kuptojë e të mos e dijë dikush që është zgjedhur të jetë në Kuvendin e Shqipërisë se çfarë do të thotë pavarësi e institucioneve kushtetuese?! Vërtetë të jenë kaq injorantë?!
Nuk gjej arsye tjetër në fakt, e po shprehem në këtë mënyrë sepse nuk dua të besoj se e bëjnë qëllimisht! Përndryshe do të më duhej të shprehesha se kemi të bëjmë me një përpjekje të ligë e kriminale për ta sabotuar ende pa nisur reformën në drejtësi! Madje, tinëzisht po investohet prej këtyre “rilindasve reformatorë” të krijohet idea se edhe këta të reformës në drejtësi janë njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët e “koorporatës së krimit”, që e kanë mendjen tek zyrat, pagat e makinat! Dhe përmes krijimit të kësaj klime armiqësie ndaj komisioneve të vetingut, në fakt synohet vënia e tyre nën presion e nën tutelë pa filluar ende nga puna.
Nëpërmjet kësaj qasjeje aspak korrekte e në kundërshti të plotë me frymën që është konceptuar e miratuar reforma në drejtësi, maxhoranca e sotme e timonierit te madh, e vetme në tepsinë e pushtetit po gogësin që në ditët e para tërë makutërinë e vet, duke synuar të bëjë viktimë reformën në drejtësi! Ndaj e gjej me vend të bëj një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA, respektivisht për zonjën Vlahutin dhe zotin Lu: ndiqeni procesin me të njejtën konsistencë që shfaqët gjatë miratimit të reformës në drejtësi, sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vetingut! Vetëm mbështetja dhe presioni juaj mund ta detyrojë maxhorancën të largojë duart nga përpjekja për ta deformuar e vënën nën kontroll procesin e ngritjes së institucioneve të vetingut, përkatësisht edhe të institucioneve të drejtësisë!
Komisioneve të vetingut, këtyre institucioneve të një rëndësie jetike për fatet e suksesin e reformës në drejtësi, që jo vetëm do të pastrojnë sistemin e drejtësisë, por edhe do të jenë baza për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion etjerë, u duhet dhënë mbështetja maksimale e u duhen krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për përmbushjen e misionit të tyre kushtetues!
Qëndrimi ndaj tyre është dëshmia më e qartë se kush e do dhe kush nuk e do reformën në drejtësi dhe suksesin e saj!
Victoria Beckham zbulon arsyen pse nuk buzëqesh kurrë në fot...
Rusia sulmon me një numër rekord dronësh 17 rajone të Ukrain...
“Ishalla nuk shymesh tash ti”, i thotë Xheneta-Drilonit
Nura e zëvendëskomandanti i KFOR-it flasin për situatën aktu...
Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të ...
Anisa e ashpër ndaj Gjestit dhe Leos, pasi ky i fundit ia vo...